Shqipëria dhe Suedia firmosin marrëveshjen për bashkëpunim dhe zhvillim

Shqipëria

Shqipëria dhe Suedia firmosin marrëveshjen për bashkëpunim dhe zhvillim

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 14:32

Ditën e sotme, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe i ngarkuari me punë i ambasadës suedeze, Johan Ndisi, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillim në mbështetje të reformave kryesore drejt zhvillimit ekonomik, forcimin të demokracisë dhe një mjedisi më të mirë, në harmoni me axhendën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas një njoftimi për shtyp, marrëveshja e nënshkruar sot do të zbatohet deri në vitin 2020, dhe ofron kornizën për bashkëpunim dhe zhvillim mes qeverisë suedeze dhe asaj shqiptare. Mbështetja vetëm në vitin 2016 arrin në vlerën prej rreth 7,5 milionë euro.

Strategjia Suedeze që udhëheq bashkëpunimin, identifikon 3 fusha kryesore të mbështetjes: zhvillimin ekonomik për të promovuar integrimin në BE; të drejtat e njeriut, qeverisja demokratike dhe barazia gjinore dhe mjedisi dhe klima.

Suedia është duke dhënë mbështetjen e saj edhe në fusha të tjera duke u përqendruar në rritjen e turizmit të qëndrueshëm; me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Po mbështet gjithashtu edhe në përmirësimin e përdorimit të qëndrueshëm të ujit dhe të tokës. Gjatë bashkëpunimit të saj, Suedia ka në fokus edhe forcimin e të drejtave, burimeve dhe përfaqësimit të grave.

Përtej mbështetjes së qeverisë qendrore dhe asaj lokale, Suedia është një partner i fortë i organizatave ndërpalëshe dhe shoqërisë civile, duke parë forcimin e një shoqërie civile të gjallë, si një nga detyrat e saj kryesore.

Zëvendëskryeministri Peleshi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit suedez për zhvillim me qeverinë shqiptare.

"Suedia ka mbështetur fuqimisht qeverinë në përpjekjet e saj për të forcuar qeverisjen demokratike, reformat institucionale të orientuara drejt standardeve evropiane, si dhe zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, si dhe për të krijuar kushte për një rritje të qëndrueshme afatgjatë duke mbrojtur resurset natyrore të Shqipërisë".

Ndërkohë, Ndisi shtoi se Suedia do të vazhdojë të mbështesë në procesin e reformave në Shqipëri. "Bashkëpunimi ynë për zhvillim mbështet Shqipërinë në adresimin e sfidave kryesore dhe ndërmarrjen e reformave të cilat do të ndihmojnë vendin të ecë përpara në procesin e integrimit evropian", tha Ndisi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat