Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku, u shpreh se koncensionet e dhëna nga Qeveria në 900 ditë i kushtojnë buxhetit të shtetit 600 milionë euro.
Tabaku tha se për vitet e ardhshme kjo humbje në buxhet do t’i kushtojë cdo qytetari shqiptar 220 euro në muaj.
Në një komunikim për mediat, Tabaku u ndal vecanërisht për koncensionet në shëndetësi dhe mbledhjen e TVSH, të cilat i cilësoi si korruptive dhe jo ligjore.
“Nëse ka një informacion që ne duam që të mbetet sot janë 660 milionë euro për 900 ditë të koncesionuara përveç atyre që janë në proces. Pra kemi 220 euro për cdo qytetar shqiptar kosto shtesë që do të dali nga xhepat e tyre në vitet e ardhshme për të kompensuar këtë humbje që ka në buxhetin e shtetit”, tha Tabaku.
Koncensionin në mbledhjen e TVSH-së, deputetja demokrate e quajti jo vetëm anti-ligjor, sepse administrimi fiskal është përgjegjësi e Ministrisë së Financave dhe nuk është në fushën e koncesioneve, por edhe korruptiv. Në këtë kuadër, ligjvënësja demokrate paralajmëroi se partia më e madhe opoitare do të denoncojë në prokurori cdo tentativë mbi dhënien me koncension të TVSH. “Ne do të bëjmë denoncimin pastaj është në dorë të organeve hetimore, për ne është jo ligjor dhe korruptive. Na u tha që nuk do të ketë një ndryshim të kasave fiskale, ndërkohë kompania ka deklaruar se do të ketë ndryshim të kasave fiskale, kjo është një shtesë tjetër pur buxhetin”, theksoi deputetja demokrate.