Klosi: Në Korçë ka 6500 vende të lira pune, por duhen profesionistë

Shqipëria

Klosi: Në Korçë ka 6500 vende të lira pune, por duhen profesionistë

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 20:02

Punësimi dhe arsimi profesional ishin në qendër të takimit që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, zhvilloi te henen me drejtues të zyrave të Punës, shkollave profesionale, Inspektoratit të Punës dhe biznesit në qytetin e Korçës.

Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se duke iu referuar të dhënave zyrtare të Zyrës së Punës ne Korçë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 6500 kërkesa për punë, të paraqitura nga sipërmarrja private. “Korça është një qark ku punohet e ku ka punë dhe po të shohësh të dhënat tona të Zyrës së Punës, vetëm në vitin e kaluar, janë 131 biznese që kanë ofruar plot 6500 vende të reja pune. Kanë kërkuar ndihmën e zyrës se Korçës, vende të cilat kanë qenë kryesisht në profesione të tilla, si në industri përpunuese, për punëtorë qepje/ tekstili, punëtorë qepje këpuce, kamerier, ndihmëskuzhinier, punonjës ndërtimi, inxhinierë ndërtimi e shumë të tjera”, tha ministri Klosi.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, tha Klosi, “Në vitin 2016 do ketë prioritet që të kemi një raport më të drejtë ndërmjet menaxhimit të kërkesave të biznesit për punëtorë të kualifikuar, si paraqiten kërkesat, përshkrimi i vendit të punës dhe cilësitë që paraqesin punëkërkuesit. Me ligjin e ri “Për punëkërkuesit e papunë”, ne kemi evidentuar me dhjetëra qytetarë që afrohen në zyrat tona të Punës, jo për të kërkuar realisht punë, por për të përfituar nga benefitet e sistemit”, – tha ministri Klosi.

Gjithashtu, Klosi mori pjesë edhe në analizën e punës për rajonin Korçë-Elbasan të Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat