Dekriminalizimi, zbatimi i ligjit pas dy muajsh/Kukan-Fleckenstein: KE do monitorojë reformën në drejtësi përmes një Misioni

Shqipëria

Dekriminalizimi, zbatimi i ligjit pas dy muajsh/Kukan-Fleckenstein: KE do monitorojë reformën në drejtësi përmes një Misioni

Nga: Gjergj Koja Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 18:15

Zbatimi i ligjit për dekriminalizimin nis pas dy muajsh. Kjo u bë e ditur nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në një konferencë të përbashkët për mediat me europarlamentarët Eduard Kukan dhe Knut Flenkenstein. Në përfundim të takimeve të zhvilluara në Tiranë, europarlamentarët konfirmuan reformën në drejtësi si thelbësore për integrimin vendit në BE, ndërsa shtuan se do të prezantojnë një raport për Shqipërinë ku do ti kërkojnë Komisionit Europian një mision monitorimi për këtë reformë.

“Ne jemi këtu pas miratimit të dekriminalizimit për të krijuar një ide sesi mund të ndihmojmë vendin. Ne jemi të kënaqur me ecurinë që është arritur deri tani, po presim rekomandimet e komisionit e Venecias pataj do të fillojë puna me furi. Më duhet të them që ajo që na nevojitet është një qasje e përbashkët që jo vetëm ta miratojmë por edhe ti zbatojmë. Unë jam i kënaqur me ato që kam dëgjuar nga takimet me Bashën, Ramën e Metën. Me kanë bindur se ekziston një zgjidhje. Pas disa javësh do të diskutojmë raportin tim për Shqipërinë. Unë do ti sugjeroj komisionit, që të ketë një mision monitorues për të parë nga afër se çfarë po ndodh me reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është për Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel por për popullin Shqiptar”, tha europarlamentari Fleckenstein.

Ndërsa, kolegu i tij, Eduard Kukan tha se kemi ardhur për të parë si mund të ecet përpara me reformën në drejtësi. “Ne kemi ardhur këtu që të dëgjojmë udhëheqësit tuaj dhe tju ndihmojmë për këtë reformë, e cila është e rëndësishme që Shqipëria të eci përpara në integrimin europian. Meqë Shqipëria është në këtë stad ka disa pritshmëri dhe ajo me e rëndësishmja është reforma në drejtësi. Mos harroni që ne PE keni shumë miq, ne dëshirojmë që duam të shohim Shqipërinë të angazhuar për anëtarësimin në BE. Sa më shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim në BE aq më mirë do të jetë për PE, sepse kjo është një punë e përbashkët, aq më mirë do të jetë për ju dhe për qytretarët shqiptarë. Ne jemi të kënaqur që reforma në drejtësi është në process, kjo është shumë e rëndësishme. Unë do të largohem nga Shqipëria pak më shumë optimist. Në fund të fundit është përgjegjësia e politikanëve tuaj që të miratojnë reformën në drejtësi, sepse keni një bazë, atë të Komisionit të Venecias”, tha Kukan.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Fleckenstein dhe Kukan për ligjin e dekriminalizimit. “U diskutua edhe për projekt-rezoluten e Parlamentit Europian per Shqipërinë dhe mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi. U nda bindja e përbashkët që reformat dhe integrimi kërkojnë konsensus, gjithëpërfshirje dhe konstruktivitet mes te gjitha paleve. Kukan dhe Fleckenstein konfirmojnë vullnetin e Parlamentit Europian për avancimin e Shqipërisë drejt BE”, tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat