Bordi i FMN-së miraton javën që vjen dy këstet e kredisë prej 53 milionë eurosh

Shqipëria

Bordi i FMN-së miraton javën që vjen dy këstet e kredisë prej 53 milionë eurosh

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 16:40

Javën e ardhshme Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të miratojë këstet e radhës së kredisë prej 53 milionë eurosh për qeverinë shqiptare.

Dhënia e ‘ok’ për miratimin e kësteve u konfirmua pas vizitës që zhvilloi misioni i FMN-së në Tiranë, në nëntor të vitit 2015. Misioni miratoi në nivel ekspertësh dy këste kredie për Shqipërinë, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit.

Përfaqësues të FMN-së deklaruan në Tiranë se gjithçka po ecte sipas planit: të dhënat kryesore të ekonomisë po fitojnë qëndrueshmëri dhe reformat strukturore po japin rezultatet e para.

Ndërkohë që një mision i Fondit pritet të mbërrijë shumë shpejt në vendin tonë, ku në qendër të diskutimeve me autoritet më të larta të financave publike do të jenë sërish reformat strukturore.

Burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se takimi i ardhshëm mes palëve do të ketë fokus reformat strukturore por edhe ecurinë në luftën kundër informalitetit. Reformat strukturore kanë marrë vlerësime pozitive nga shoqëritë ndërkombëtare.

Aktualisht Shqipëria i nënshtrohet vlerësimit financiar të dy kompanive, përveç Standards & Poor’s është edhe agjencia Moody’s, që mbikëqyr vendin tonë. Standard & Poor’s dhe Moody’s janë dy kompani private më të rëndësishmet në botë që merren me analizmin e tregjeve financiare të aksioneve, obligacioneve dhe bondeve shtetërore. Ato ofrojnë shërbime ndaj të tretëve duke bërë dhe vlerësime e parashikime.

Këto agjenci vlerësojnë kapacitetet e shlyerjes së kredive dhe rreziqet që mund të lindin. Ato mbledhin statistika të ndryshme mbi zhvillimet e një shteti si në rastin e Shqipërisë dhe bëjnë një vlerësim të gjithanshëm të kapaciteteve financiaro-ekonomike, por jo vetëm. Ato analizojnë edhe situatën juridike mbi titujt e pronësisë, fuksionimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të tyre.

Javën e shkuar kompania e vlerësimit financiar, Standard %Poor’s përmirësoi vlerësimin e borxhit të Shqipërisë nga niveli B në B+, me prespektivë të qëndrueshme. Sipas kompanisë, përmirësimi i notës për borxhin e Shqipërisë reflekton besimin se performanca fiskale e vendit do të jetë e fortë gjatë 4 viteve të ardhshme, nën programin e bashkëpunimit me FMN-në.

“Ne besojmë se defiçiti fiskal i Shqipërisë është në një trajektore rënëse, e cila do të çojë një ulje graduale të borxhit publik nga 70 për qind e Prodhimit Kombëtar që është aktualisht, në rreth 60 për qind në vitin 2019”, thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat