Profesionet e lira, avokatët zhvillojnë grevën 1 ditore. Shtyhen dhjetra seanca gjyqësore

Shqipëria

Profesionet e lira, avokatët zhvillojnë grevën 1 ditore. Shtyhen dhjetra seanca gjyqësore

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 11:21

Rreth 63 seanca gjyqësorë u shtynë gjatë paradites së sotme për shkak të grevës njëditore të avokatëve. Këta të fundit kërkojnë që Qeveria të tërhiqet nga vendimi në lidhje me kontributet e sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, të cilëve i ngarkohet një barrë më e madhe në detyrimet që duhet të paguajnë. Mësohet se 45 seanca civile dhe 18 penale janë shtyrë pasi avokatët nuk janë paraqitur në sallat e gjyqeve.

Prej disa ditësh avokatët në qytete të ndryshme të vendit po ushtrojnë presion ndaj Qeverisë për tu tërhequr nga vendimi, i cili përcakton pagën mujore për këtë kategori, duke rritur ndjeshëm masën e kontributeve që duhet të paguajnë krahasuar me atë cka paguajnë deri më tani.

Ministri i Drejtësisë i ka drejtuar një apel avokatëve që të mos braktisin detyrën, sidomos rastet që kanë të bëjnë me masat e sigurisë. Por duket se apeli i Ylli Manjanit nuk ka gjetur mbështetjen e shoqatës së avokatëve. Kjo është hera e parë që avokatët në të gjithë vendin ndërmarrin një veprim të tillë, ndërsa në ditët e mëparshme grevat kanë qenë të lokalizuara. Avokatët paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestën e tyre nëse Qeveria nuk tërhiqet nga drafti i saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat