Basha-Ramës: E ke kthyer PS në shtëpi ushtarakësh. Modeli yt, modeli i një satrapi oriental

Shqipëria

Basha-Ramës: E ke kthyer PS në shtëpi ushtarakësh. Modeli yt, modeli i një satrapi oriental

Nga: Gjergj Koja Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 21:25

Në të njëjtën ditë që Kryeministri Edi Rama ka vijuar anëtarësimet e reja në PS në njësinë nr 5 në Tiranë, kreu demokrat Lulzim Basha ka zgjedhur po këtë njësi për të zhvilluar një takim me të rinjtë e FRPD-së. E ndërsa Rama ka akuzuar qeverinë e PD-së si kundërshtaren e reformave në vend, Basha akuzon Kryeministrin se po i mohon të drejtën e votës socialistëve për zgjedhjen e kryetarit të tyre. Madje për Bashën shtëpia e socialistëve është kthyer në një shtëpi ushtarakësh, ndërsa i uroi atyre të kalojmë sa më shpejt këto ditë të errëta.

“Po pse i duhet Edi Ramës të shpërfytyrojë dhe të deformojë kështu fizionominë politike të një familje, të një partie politike? Sepse zgjedhja e lirë e tremb, sepse zgjedhja e lirë nuk është vetëm liri por është edhe përgjegjësi, sepse zgjedhja e lirë është llogari dhe sepse llogaritë dhe bilancin i ka ku thërret qiameti.

Brenda shtëpisë së tij politike, e në veçanti në raport me qytetarët shqiptarë. Po bën gjithçka për të shmangur zgjedhjet në partinë e tij, ky nuk është vizion europian, modern apo perëndimor. Është padyshim një model, por është një model satrapi oriental, është modeli jo i zhvillimit, por i frenimit të zhvillimit, jo i lirisë por i kontrollit me çdo kusht. Do tu duhet kjo në përballjen që kanë nisur për të ruajtur çfarë mund të ruajnë nga trupi i një organizate që ka nisur si parti dhe tashmë është kthyer në një kazermë të kryetarit.

Një gjë është e sigurt, e jua themi sot nga kjo sallë e vullnetit të lirë të demokratëve, se partitë që mbysin votën e lirë, partitë që asgjesojnë vullnetin e lirë të anëtarëve jo vetëm janë të destinuara të mosqeverisin, por janë të destinuara të zhduken nga harta e historisë politike”, theksoi Basha.

Kryedemokrati gjeti rastin për tu deklaruar mbi atë çfarë po ndodh në PS, ndërsa mori pjesë në Konventën e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ku strukturat drejtuese do të zgjidhen përmes parimit: një anëtar një votë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat