Panariti pret Guvernatorin e Epirit, pritet rritje e bashkëpunimit në bujqësi

Shqipëria

Panariti pret Guvernatorin e Epirit, pritet rritje e bashkëpunimit në bujqësi

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 13:24

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, priti sot Guvernatorin e Rajonit të Epirit, Aleksandros Kachrimanis.

Ky i fundit shoqërohej në këtë takim nga Ambasadori i Republikës Greke në Shqipëri, Leondas Rokanas. Temë kryesore e bisedimeve mes Panaritit dhe Kahremanis ishte mundësia për zgjerimin e bashkëpunimit midis rajonit të Epirit të Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe të agropërpunimit.

U ra dakord të organizohen së shpejti forume të përbashkëta të biznesit në fushën e blegtorisë, frutikulturës dhe të bimëve mjekësore. Ministri Panariti theksoi se do të shihet me përparësi krijimi i sipërmarrjeve të përbashkëta në fushën e bujqësisë veçanërisht në zonat kufitare.

Kahremanis e siguroi ministrin për mbështetjen e tij dhe të qeverisë greke për nxitjen e sipërmarrjeve dhe të projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë. Guvernatori u angazhua personalisht për të lehtësuar procedurat dhe rritur punësimin sezonal dhe të përhershëm të qytetarëve shqiptarë në sipërmarrjet greke, në fushën e bujqësisë dhe të agropërpunimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat