Lejet e ndërtimit, Gjermeni letër 61 kryetarëve të bashkive: Mos e kushtëzoni procesin me hartimin e planeve. Jepni leje kur janë në përputhje me ligjit

Shqipëria

Lejet e ndërtimit, Gjermeni letër 61 kryetarëve të bashkive: Mos e kushtëzoni procesin me hartimin e planeve. Jepni leje kur janë në përputhje me ligjit

Nga: Gjergj Koja Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 11:17

61 njësitë vendore në vend kanë të drejtë të japin leje ndërtimi duke zbatuar legjislacionin, me përjashtim të rasteve kur kërkesa nuk përmbush kushtet ligjore. Kjo i bëhet e ditur 61 kryetarëve të bashkive përmes një letre që ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni i ka drejtuar, duke ju kujtuar se dhënia e lejeve nuk duhet të kushtëzohet nga procesi i hartimit të planeve të cilat do të jenë gati vetëm në muajin korrik.

“Procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore nuk pengon dhe nuk duhet të konsiderohet nga kryetarët e bashkive si faktor bllokues i zhvillimit të territorit, qoftë kjo për nevoja të biznesit privat ashtu edhe për nevoja të strehimit të qytetarëve. Vetëm për ato zona të cilat nuk janë të mbuluara me plane të përgjithshme vendore ekziston një kufizim sa i përket kategorive të ndërtimeve të lejuaradhe kjo me qëllim ruajtjen e territorit për qëllimet e planifikimit që do të kryhet”, thekson Gjermeni në letrën e saj.

Ministrja e Zhvillimit Urban sqaron se deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit në proces.
Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, Gjermeni nënvizon se ndërtimet e reja do të jetë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e re e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe kompaninë zbatuese të projektit (IkubINFO), janë duke punuar për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit dhe trajnimin vijues të bashkive lidhur me procesin e lejeshënies.

“Me ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, parashikohet që aplikimi të kryhet ekskluzivisht online përmes portalit e-Albania, ku secili aplikues do të mund të aksesojë me kredencialet dhe firmën elektronike të tij dhe të ndjekë statusin e shqyrtimit të aplikimit nga autoritetet përgjegjëse. Gjithashtu, të gjitha bashkitë dhe institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi për miratimin e projektit të ndërtimit (si p.sh. në fushën e mjedisit, kulturës, infrastrukturës, mbrojtjes nga zjarri etj.) do të ndërveprojnë mes tyre përmes sistemit elektronik, duke shkurtuar ndjeshëm afatet e trajtimit të kërkesave dhe rritur transparencën ndaj publikut”, sqaron ministrja.

Ministria e Zhvillimit Urban dhe grupi i punës janë angazhuar dhe po punojnë intensivisht, në bashkëpunim me bashkitë, me qëllim që sistemi elektronik të vihet në funksionim të plotë dhe në mënyrë të detyrueshme për të gjitha aplikimet për leje ndërtimi, duke filluar nga muaji mars 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat