Prokuroria vendos nën sekuestro preventive 9 pallate në zonën e Velipojës

Shqipëria

Prokuroria vendos nën sekuestro preventive 9 pallate në zonën e Velipojës

Nga: Gjergj Koja Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 10:55

Nëntë pallate në ndërtim e sipër në pronësi të subjektit “Fishta” shpk, me administrator Sait Fishta janë vendosur nën sekuestro preventive nga prokuroria e Shkodrës.

Vendimi u bë publik përmes një njoftimi për shtyp të prokurorisë ku thuhet se kjo sekuestro u vendos me lejen e gjykatës.

“Prokuroria e Shkodrës ka marrë lejen e gjykatës për të vendosur sekuestro preventive mbi 9 pallate në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës, në pronësi të subjektit “Fishta” shpk, me administrator Sait Fishta, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm” informon prokuroria.

Ne hetim dhe anëtarët e KRRT Velipojë

Fillimi i hetimeve- Fillimisht hetimet kishin nisur për “shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës Velipojë. U krijuan dyshime të arsyeshme se 9 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës Velipojë, kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të “Fishta” shpk.

“Në bazë të atij hetimi, KRRT-ja e Komunës Velipojë i kishte dhënë ‘Fishta” shpk., leje ndërtimi për ngritjen e disa godinave, pjesë e një kompleks turistik. Por, në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se këto leje ndërtimi ishin dhënë në zonën bregdetare, të cilat duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKRRT)”

Për këto shkelje, të gjithë ish-anëtarët e KRRT-së së Komunës Velipojë tashmë janë në proces gjyqësor, në të cilin akuzohen nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Vijoi punimet edhe pse iu kerkua nderprerja

Prokuroria njofton se gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, të cilët aktualisht janë të pandehur, Prokuroria e Shkodrës njoftoi zyrtarisht edhe administratorin e “Fishta” shpk, shtetasin Sait Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.
“Por, nga veprimet e kryera në terren, rezultoi se subjekti “Fishta” shpk, pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë në lejet e ndërtimit, ka vijuar punimet në këto godina.

Sekuestro preventive

Gjendur në këto kushte, si edhe për të ndërprerë vijimin e paligjshmërisë, Prokuroria e Shkodrës në kuadër të hetimeve që po zhvillon ndaj administratorit Sait Fishta për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, mori lejen nga gjykata për të vendosur sekuestron preventive për ndërtimet në zhvillim, si më poshtë:

– Dy pallate 6 kate mbi tokë

– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e katërt

– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e tretë

– Një pallat në ndërtim, aktualisht në katin e parë

Në bazë të lejeve të paligjshme të ndërtimit, godinat planifikoheshin që të ndërtoheshin deri në 6 kate

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat