Patentat, praktikantët duhet të bëjnë dy provime praktike

Shqipëria

Patentat, praktikantët duhet të bëjnë dy provime praktike

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 00:56

Për të fituar lejen e drejtimit, çdo kandidat që plotëson kriteret dhe mbyll me sukses provimin e teorisë, duhet të japë dy provime praktike. Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve propozon që për patentat e kategorisë B (autoveturat), kandidatët kanë kohë 6 muaj për të fituar provimet e praktikës, duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit.

Sipas variantit të ri, i cili është në diskutim, prova e parë e praktikës nuk mund të jetë më parë se data e përfundimit të programit të praktikës. “Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të Autorizimit për praktikë dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara”.

Ndërkohë, kandidati duhet të ketë kryer edhe ushtrimet e praktikës prej 6 orësh, të ndara këto në 3 grupe (2 orë gjatë natës, 2 orë në rrugë urbane dhe 2 orë në autostradë). Bazuar në programet, të cilat do të jenë të fokusuara te sjellja në trafik, kontrollin teknik të mjetit dhe manovrat në rrugë, kandidatët kanë 5 mundësi, të cilat do të shfrytëzohen për mbetësit me distanca 5-ditore.

“Në rast se kandidati nuk e fiton provimin e praktikës me paraqitjen e tij deri në 5 herë prova praktike, ose kalohet afati i vlefshmërisë së autorizimit të praktikës, atëherë ai duhet të rifutet në provimin e teorisë, pa e përsëritur kursin e teorisë,vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së autorizimit përkatës”,- thuhet në nenin 22 të udhëzimit. Për të dhënë provimet e praktikës, kandidatët duhet të marrin me vete kartën e identitetit (ose pasaportë) dhe autorizimin.

Sa zgjat praktika

Sipas propozimit të Ministrisë, seancat e ushtrimit të praktikës, nuk duhet të zgjasin më pak se 40 minuta. Kjo vlen për të dy llojet e kurseve, si për mjetet me kuti shpejtësie manuale, ashtu edhe për ato me kuti automatike, të cilat futen për herë të parë në autoshkollat shqiptare. Për patentat e kategorisë A1 (motor me cilindratë deri në 125 cm³, tricikël), A2 (motor me fuqi deri në 35 kW), dhe B1 (motomjete me katër rrota, të ndryshëm nga ata AM, masa e të cilëve është më e vogël se 400 kg), kohëzgjatja është propozuar për 12 seanca, të cilat duhet të zhvillohen në jo më pak se 12 ditë.

Për patentat e kategorisë B, aty ku interesi është më i madh, propozohen 25 seanca në jo më pak se 25 ditë kalendarike. Vendi i provës të praktikës për të vlerësuar manovrat e veçanta bëhet në një terren të përshtatshëm për kryerjen e këtyre manovrave.

Vendi i provës për të vlerësuar sjelljen në trafik duhet të bëhet në rrugë jashtë zonave të banuara, interurbane dhe autostrada (ose të ngjashme) si dhe, në të gjitha llojet e rrugëve urbane (zona banimi, 30 dhe 50 km/orë, urbane kryesore) të cilat duhet të përfaqësojnë lloje të ndryshme të vështirësisë. Gjithashtu, është e përshtatshme që prova të zhvillohet në kushte të ndryshme të trafikut.

Regjistrimi

Për t’u regjistruar në kursin e patentës, kandidatët duhet të bëjnë pagesën e regjistrimit për leje drejtimi, (autorizimin e teorisë dhe praktikës njëkohësisht), me pas dorëzojnë mandatin e arkëtimit dhe dokumentet në autoshkollë për regjistrim. Pas shpalljes fitues në provimin e praktikës, kandidati duhet të bëjë pagesën për taksën e lejes së drejtimit dhe patentës. Pasi kandidati është regjistruar për një kategori të caktuar leje drejtimi, statusi tij është aktiv dhe pasqyrohet automatikisht në sistemin e regjistrit informatik për dhënien e provimit të teorisë dhe praktikës deri në përfundim të këtij procesi. Pagesat për riprovimet e teorisë dhe të praktikës do të bëhen pas shpalljes fitues të provimit të praktikes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat