Shifrat zyrtare, BE pranoi vetëm 1 mijë azilantë nga Shqipëria

Shqipëria

Shifrat zyrtare, BE pranoi vetëm 1 mijë azilantë nga Shqipëria

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 21:22

Të detyruar nga varfëria dhe të zhgënjyer nga qeverisja, shqiptarët vërshuan vitin e kaluar drejt vendeve të Bashkimit Europian me shpresën për një jetë më të mirë. Të dhënat e fundit zyrtare nga Eurostat dhe Frontex zbulojnë se në harkun kohor të një viti, nga tetori i 2014-ës deri në tetor 2015, ishin mbi 64 mijë e 635 shqiptarë që kërkuan azil në vendet e BE-së.

Sipas Eurostat, kjo ishte shifra e katërt më e lartë e azilkërkuesve, pas Sirisë, Afganistanit dhe Kosovës. Por edhe pse kishin shpresuar se do të linin pas skamjen, shumica dërrmuese e azilkërkuesve shqiptarë janë përballur me refuzimin e aplikimit për azil.

U pranuan vetëm 3.7%

Shqyrtimi i kërkesave është një proçes burokratik, i cili kërkon disa muaj. Por shifrat e Eurostat, të cilat janë zbardhur nga revista The Economist tregojnë se deri më tani autoritetet e vendeve të BE kanë proçesuar rreth 27 mijë e 340 kërkesa të azilkërkuesve shqiptarë. Nga këto 26 mijë e 340 kërkesa janë refuzuar dhe vetëm 1 mijë shqiptarë, ose 3.7 për qind e totalit kanë patur fatin të pranohen.

Në fakt edhe dy vende të tjera fqinje, Serbia dhe Kosova, kanë patur të njëjtin nivel refuzimesh si Shqipëria, respektivisht 98.8 dhe 97 për qind. Shumica e shteteve të zhvilluara të Bashkimit Europian, veçanerisht ato që kanë qenë më të synuara nga emigrantët kanë nxituar të ndryshojnë ligjet përkatëse për t’i klasifikuar vendet e Ballkanit Perëndimor si vende të sigurta origjine. Kjo shpjegon dhe normën e lartë të refuzimeve për azilkërkuesit shqiptarë, atë serbë dhe kosovarë.

Pranohen vetëm emigrantët e luftës

Ndërsa azilkërkuesit nga vendet të cilat gjenden në konflikte të armatosura si Siria apo Afganistani kanë patur një normë me të lartë pranimesh. Sipas shifrave autoritetet e BE kanë proçesuar 91 mijë e 825 kërkesa nga azilkërkuesit sirianë duke pranuar 95.7 për qind të tyre dhe refuzuar vetëm 4.3 për qind.

Ashtu si siirianët edhe azilkërkuesit nga Iraku dhe Eritrea janë pranuar në pjesën dërrmuese rreth 90 për qind të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat