Përkujtohet 35-vjetori i dëshmorëve të Fekenit

Shqipëria

Përkujtohet 35-vjetori i dëshmorëve të Fekenit

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 17:44

Ministria e Mbrojtjes dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, organizuan një ceremoni përkujtimore 35-vjet nga dita e rënies në krye të detyrës të 11 studentëve dhe pedagogëve të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në stërvitjen dimërore që zhvillonin në rajonin e malit të Fekenit. Të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo etj..

Ministrja Kodheli pasi falënderoi të pranishmit, kujtoi misionin fisnik për të cilin ata ranë dëshmorë. “Sot përveç një dite përkujtimore, është një ditë që na mbush me krenari, se ne i përkasim akoma atij brezi që di të respektojë dhe të përkujtojë të gjithë të rënët. I përkasim atij brezi në uniformë ose jo, që akoma ka besim dhe mbështetet tek vlerat më sublime, siç është ajo e dashurisë për atdheun dhe detyrën, të cilën na kanë caktuar”, tha ministrja Kodheli.

Pas vendosjes së kurorave me lule pranë memorialit të ngritur në nder të të rënëve të kësaj tragjedie, ministrja Kodheli ftoi të pranishmit të mbanin 1 minutë heshtje në kujtim të tyre.

Tragjedia e 6 shkurtit 1981 që ndodhi në stërvitjen dimërore që zhvillonin studentët e ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Feken është një ngjarje e skalitur në memorien e gjithë ushtarakëve dhe më gjerë. Studentët dhe pedagogët e kësaj shkolle shkonin çdo vit në stërvitje dimërore në këtë rajon malor, madje këtu kishin të ngritur edhe kampingun e tyre dimëror me të gjithë parametrat dhe elementët e duhur. Por dimri i atij viti erdhi më i ashpër dhe më i ngarkuar me dëborë. Dhe pikërisht 6 shkurti, një ditë tepër e vështirë u kthye në një ditë që në memorien ushtarake shqiptare është quajtur “Tragjedia e Fekenit”.

Komandanti i batalionit Dushan Shametaj, shef i Planëzimit në Degën e Arsimimit Çlirim Pulaj, pedagogu i taktikës Nikollaq Bero, studentët Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa dhe Bujar Ago, ishin oficerë dhe studentë me shpirt dhe zemër heroike, të gjithë të rinj që e kishin të shenjtë dashurinë për atdheun dhe për shokët deri në sakrificën supreme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat