Tiranë-Elbasan, MTI-opozitës: E përdorët rrugën për fushatë

Shqipëria

Tiranë-Elbasan, MTI-opozitës: E përdorët rrugën për fushatë

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 17:34

Deputetë të Partisë Demokratike, gjatë protestës së sotme në qytetin e Elbasanit, janë shprehur, midis të tjerave, se “rruga Tiranë-Elbasan ka dy vite e gjysmë që ka mbetur peng i qeverisë”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila ka deklaruar: “Problematika e jashtëzakonshme e trashëguar e veprave publike në Shqipëri duhet ti kishte bërë deputetet e nderuar, që të paktën të heshtnin, në shenjë të një njohje dhe pendimi për përgjegjësitë e tyre dhe forcës politike që përfaqësojnë. Por, është e dukshme, që mungesa e përgjegjësisë dhe politizimi nga ana e tyre nuk njeh kufij”.

“Përfaqësuesit e opozitës duhet ta dinë shumë mirë që projekti i rrugës Tiranë- Elbasan, ndonëse shumë i rëndësishëm për banorët e Elbasanit dhe të gjithë juglindjes, është projekti me tipik i përdorimit, për qëllime elektorale të një vepre që bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptare. Projekti i kësaj vepre, u modifikua disa herë, në dëm të cilësisë e standardeve, për të fituar kohë e për të arritur inagurimin përpara zgjedhjeve të 2013-s. Dhe kostot jemi të detyruar ti paguajmë sot, për parregullsi ligjore, për mungesë projektesh gjeologjike, për fatura të mëdha financiare, si pasojë e disa shkarjeve të mëdha të masivit shkëmbor përgjatë kësaj rruge”, thuhet në një njoftim të ministrisë.

Ndër të tjera në njoftim thuhet: “Na është dashur të përmirësojmë ndjeshëm projektet teknike, që shpesh shëmtonin edhe zonat më të bukura turistike të vendit, siç ishte ai i rrugës Lin-Pogradec. Sindroma e cilësisë së ulët të projekteve të infrastrukturës, është mjaft e përhapur në gjithë çka është ndërtuar në vitet e kaluara. Përballemi çdo vit me kosto të jashtëzakonshme të përfundimit të veprave, siç është fatura prej 100 milion eurosh për Rrugën e Kombit, apo ajo prej mbi 200 milion eurosh për Rrugën e Arbrit, për mirëmbajtje e riparime të paparashikuara, si ajo e rrugës Elbasan-Librazhd apo Milot –Rrëshen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat