“Mijëra ton hashash në Vlorë gati të nisen në Itali, Tahiri garant i trafikut”

Shqipëria

“Mijëra ton hashash në Vlorë gati të nisen në Itali, Tahiri garant i trafikut”

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 12:55

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me operacionin e policisë shqiptare dhe Guardia di Finanza-s, ku u sekuestruan 500 kilogramë drogë, e cila transportohej nga Shqipëria drejt Italisë.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Flamur Noka u shpreh se “gomonia me drogë e nisur nga Vlora është vetëm një fragment i një trafiku të mirëorganizuar të tonelatave me hashash, ku janë të përfshirë Habilajt e Llanajt , drejtori i policisë Vlorë dhe sigurisht gjithçka bëhet me mbikqyrjen e Saimir Tahirit”.

Sipas tij, sasi të mëdha droge qëndrojnë në pritje për tu nisur drejt Italisë, në zonën e Çolës, në Dhërmi dhe në grykëderdhjen e Vjosës.

“Furgona të ngarkuar dhe garazhe e magazina në Çole dhe përreth, kanë gati mallin për skafin ose gomonen e radhës. Të paktën 3 mijë ton hashash gjendet gati për tu trafikuar, dhe ruhet me policët besnik të drejtorit të Vlorës, i cili është pika kyçe e Habilajve dhe Tahirit”, shprehet Noka.

Më tej, ai vijon: “Një biznes prej qindra milionë eurove që ka nisur dhe është konsoliduar ditë pas dite qysh se ministër i Brendshëm u bë Saimir Tahiri. Një ditë përpara se gomonia me drogë të pikasej nga policitë fqinje në det, ne e paralajmëruam, unë e denoncova në Parlament”.

Deputeti i PD-së tha se, “ky është pra shteti kriminal, grupimi mafioz me Tahirin e bandat e tij, që kontrollojnë drogën, që nga mbjellja, rritja, paketimi, magazinimi e deri tek transporti i saj”.

Ai tha se shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë shtet kriminal. “Është në dorën e qytetarëve të bashkohen, e ti hapin vendit një rrugë të re, larg sundimit të krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”, tha në fund Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat