Hetimi në Tatime, PD kërkon zgjatjen e afateve të Komisionit/Paloka: Bllokojmë Kuvendin në seancën e 11 Shkurtit

Shqipëria

Hetimi në Tatime, PD kërkon zgjatjen e afateve të Komisionit/Paloka: Bllokojmë Kuvendin në seancën e 11 Shkurtit

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 10:46

Partia Demokratike kërkon zyrtarisht zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor Parlamentar mbi zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore. Përmes një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, europarlamentarëve Knut Flekestain dhe Eduard Kukan, PD thekson se cdo tentativë për cenimin e të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare, është i papranueshëm nga ana jonë. “Gjejmë rastin t’ju shprehim qëndrimin tonë se opozita parlamentare nuk do të lejojë që në seancën plenare të datës 11 Shkurt 2016, të diskutohet dhe shqyrtohet asnjë cështje tjetër, pa u miratuar më parë me konsensus zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”, thuhet në letrën e firmosur nga Edi Paloka, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Kërkesa e plotë e PD

Z. Kryetar i Kuvendit,

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”. Pas njohjes së të drejtës së opozitës për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ky Komision u ngrit me vendimin e Kuvendit nr. 89/2015. Mirëpo, afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor ishte 3 muaj dhe përfundoi më datë 22 Janar 2016, edhe pse nuk ishin përmbushur ende të gjitha pikat e Planit Hetimor të miratuar.

Pas fillimit të sesionit të ri parlamentar, me shkresën nr. 326 Prot., datë 29.01.2016, pasi u njohëm nga Kryetari i Komisionit me faktin e skadimit të afatit të veprimtarisë, pa u kokluduar me të gjitha pikat e Planit të Hetimit, nga ana jonë u kërkua zgjatja e afatit të veprimtarisë së këtij Komisioni. Kërkesa për miratimin e vendimit të Kuvendit për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, u paraqit nga grupi nismëtar (Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike), për arsye se:

Së pari, sikundër kemi theksuar edhe në shkresën nr. 326 Prot., datë 29.01.2016, anëtarët e shumicë parlamentare në Komisionin Hetimor, që përbëjnë edhe shumicën në këtë Komision, refuzuan miratimin e një kerkesë të Komisionit drejtuar seancës plenare për zgjatjen e afatit të veprimtarisë. Qëndrimi i tyre në mbledhjen e Komisionit, praktikisht nënkuptonte mohim të të drejtës së opzitës për hetim parlamentar, duke qenë se nuk ishin kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe praktikisht Komisioni Hetimor nuk kishte nxjerr konkluzionet e hetimit.

Së dyti, përcaktimi i afatit të veprimtarisë së Komisionit është e drejtë ekskluzive e kërkuesit, në kuptim të nenit 5 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”. Nëse grupi nismëtar konstaton se afati i propozuar prej tij dhe i miratuar nga Kuvendi, nuk ka siguruar kohën e mjaftueshme për të përmbyllur hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm, është e drejtë e tij që të kërkojë zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit, në funksion të garantimit të vetë të drejtës për hetim parlamentar.

Së treti, nuk ka asnjë përcaktim në ligjin nr. 8891/2002 dhe në Rregulloren e Kuvendit që të specifikojë procedurën e shtyrjes së afatit të veprimtarisë së Komisioneve Hetimore. Në këtë kuadër, cdo pretendim se kërkesa duhet të bëhet detyrimisht nga vetë Komisioni Hetimor (kur kërkuesi nuk disponon as shumicën) është e pabazuar në ligjin nr. 8891/2002 dhe në Rregulloren e Kuvendit. Duke qenë në kushtet e një kërkese që lidhet me hetimin parlamentar, ajo nuk mund të vijë ndryshe përvecse nga vetë grupi nismëtar i këtij hetimi parlamentar, vecanërisht kur shumica në Komision refuzon miratimin e kërkesës. Në këtë rast, më lejoni t’ju kujtoj se kërkesa për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor ka të njëjtin impakt si edhe vetë miratimi i kërkesës për ngritjen e Komisionit. Ajo është e lidhur ngushtësisht me realizimin e të drejtës së opozitës parlamentare për përmbushjen e funksionit kushtetues për kontroll parlamentar dhe si e tillë është detyrimisht e miratueshme nga shumica në Kuvend. Mohimi i saj përbën në vetvete mohim të të drejtës kushtetuese të opozitës parlamentare për kontroll parlamentar, në kundërshtim me nenin 77 të Kushtetutës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike refuzon propozimin e shumicës parlamentare që nga ana jonë të kërkohet ngritja nga e para e këtij Komisioni Hetimor. Kjo praktikë është e rrezikshme për rezultatet e vetë hetimit, sepse sjell vonesa të panevojshme që mund të dëmtojnë vetë përfundimet e hetimit, si dhe i shkakton dëm financiar Buxhetit të Shtetit. Nëse Komisioni Hetimor do të ringrihej nga e para, atëherë do të duhej të përsëriteshin të gjitha veprimet procedurale që janë realizuar, të cilat sjellin një kosto të panevojsëhme në burimet njerëzore dhe financiare (pagesa e deputetëve për pjesërmarrje në mbledhje, për ushtrimin e detyrave që i kanë përmbushur edhe më parë!).

Nisur nga arsyet e mësipërme kërkojmë miratimin pa asnjë vonesë të mëtejshme të kërkesës sonë për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, sipas tekstit të projektvendimit të propozuar me shkresën nr. 326 Prot., datë 29.01.2016. Cdo pretendim i pabazuar në ligjin nr. 8891/2002 dhe në Rregulloren e Kuvendit, është thjeshtë një justifikim për motive politike, që synojnë të mohojnë në mënyrë antikushtetuese të drejtën e pakicës parlamentare për ushtrimin e kontrollit parlamentar. Në këtë pikë, sjellim në vëmendje se përvecse një qëndrim i tillë nga ana e mazhorancës parlamentare bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 8891/2002, si dhe cenon rëndë Rezolutën e marrëveshjes politike midis palëve të datës 24 Dhjetor 2014, të arritur me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Parlamentit Europian.

Në këto kushte, ju bëjmë me dije se cdo tentativë për cenimin e të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare, është i papranueshëm nga ana jonë. Gjejmë rastin t’ju shprehim qëndrimin tonë se opozita parlamentare nuk do të lejojë që në seancën plenare të datës 11 Shkurt 2016, të diskutohet dhe shqyrtohet asnjë cështje tjetër, pa u miratuar më parë me konsensus zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”.

KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

EDI PALOKA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat