Ngritja e Byrosë së Hetimit, Caka: Ka individë që i tremben, jo e gjithë politika

Shqipëria

Ngritja e Byrosë së Hetimit, Caka: Ka individë që i tremben, jo e gjithë politika

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 22:39

Në politikë ka individë që i tremben ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Deputetja e LSI, Silva Caka, e bëri këtë deklaratë në studion e Ora News, por theksoi se kjo nuk vlen për të gjithë klasën politike që është angazhuar në proçeset e reformimit të drejtësisë.

Caka: Ka disa individë që i tremben këtij projektligji, këtij organi apo dhe organeve të tjera të cilat synojnë hetimin, gjurmimin, përgjimin në Shqipëri. Por kjo nuk do të thotë se e gjithë klasa politike i trembet këtij organi. Thjesht mund të jenë individë të caktuar, të cilët nuk besoj se duhet ti tremben vetëm këtij organi, duhet ti tremben çfarëdo lloj organi, instance shtetërore që merret me hetimin.

Përfaqësuesja e maxhorancës rikonfirmoi qëndrimin solid të koalicionit përballë kërkesës së PD për miratimin me proçedurë të përshpejtuar të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Caka tha se për ngritjen e institucionit do të priten rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, pasi çdo proçedurë e përshpejtuar do të cënonte cilësinë.

Caka: Kërkesa e opozitës për ta futur ligjin me proçedurë të përshpejtuar ndoshta thjesht prish ato balancat kohore të ligjit dhe do të na çonte pastaj në një produkt që nuk do të ishte ai që do të donim, nuk do të ishte efikas. Ndonjëherë edhe proçedura e përshpejtuar sjell një produkt që nuk është efikas, nuk i shërben dhe nuk jep zgjidhje për asgjë.

Ligjvënësja Caka tha se pas akteve nënligjore do të nisë zbatimi i plotë i ligjit për dekriminalizimin, për të cilin u shpreh optimiste se do arrihet pastrimi i politikës dhe administratës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat