Votim online për Këshillin e Shoqërisë Civile. Klosi: Procesi, sa më transparent

Shqipëria

Votim online për Këshillin e Shoqërisë Civile. Klosi: Procesi, sa më transparent

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 15:05

Cilido përfaqësues nga shoqatat apo organizatat jofitimprurëse që plotëson kriteret ligjore dhe në të njëjtën kohë kërkon apo ka ambicien të bëhet pjesë e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile, prej ditës së sotme mund të paraqesë kandidaturën e tij, e cila më pas do të votohet.

E gjitha kjo nëpërmjet një vlerësimi online dhe procesi sa më transparent. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KKSHC-së është hapur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë një takimi që ka zhvilluar në ambientet e MMSR-së me përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues të Agjencisë së Shoqërisë Civile.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, ministri Klosi duke vlerësuar si të një rëndësie tepër të veçantë mirëfunksionimin e këtij Këshilli, kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit që të bëhen pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të jetë sa më transparent dhe i besueshëm për këdo.

“Do donim shumë që t’u largoheshim praktikave ku të gjithë ankohen që nuk kemi marrë informacion. Do doja shumë që të isha transparent për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë Këshill dhe po ashtu do të doja që askush, për çfarëdo lloj arsyeje, të mos ishte pjesë e procesit të votimit dhe përzgjedhjes së atyre përfaqësuesve të denjë të shoqërisë civile, të cilët do të jenë pjesë e debatit me strukturat qeveritare”, tha ministri Klosi.

Ai shtoi se vetëm duke pasur një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, do mundet të krijohet një këshill që t’u shërbejë vërtet interesave të shoqërisë civile, si dhe të këshillojë qeverinë për marrëdhëniet dhe politikat për këtë grupim.

“Finalizimi i këtyre të përzgjedhurve të Shoqërisë Civile do na japë besimin që zëri i të gjithë komunitetit do dëgjohet tashmë në mënyrë institucionale nga strukturat e shtetit shqiptar, për të pasur mundësinë që ne të kemi një vendimmarrje të përbashkët, në radhë të parë në interes të vetë komunitetit dhe po ashtu në shërbim të interesave të qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, politikat tona duke qenë të mirëkoordinuara, do kenë efekt maksimal në shërbim të misionit historik, të pazëvendësueshëm që Shoqëria Civile dhe ju përfaqësues të nderuar të saj keni ndërmarrë në këto zhvillime demokratike të vendit tonë”, tha ministri.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kalendari i veprimeve në kuadër të këtij procesi parashikon që nga data 5 deri në 12 shkurt të jetë periudhë për paraqitjen dhe nominimin online të kandidatëve për anëtarë të KKSHC-së. Po ashtu, që nga dita e sotme kalendari parashikon edhe ngritjen e një komisioni ad-hoc zgjedhor edhe me një përfaqësues ndërkombëtar.

“Ndërkohë që nga data 13 shkurt do bëhet publikimi i kandidaturave të kualifikuara gjatë nominimeve dhe vendoset një afat treditor për kontestim të të nominuarve të skualifikuar. Në datën 16 shkurt do të shpallet votimi online për një periudhë tetëditore dhe në datën 25 shkurt do bëhet shpallja e fituesve”, thuhet në njoftim.

Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile do të ketë 27 anëtarë, 13 nga të cilët do të jenë përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të institucioneve publike, 13 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe 1 përfaqësues nga komuniteti i biznesit. Ai do të drejtohet nga ministri i MSR-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat