Të hënën, asnjë seancë gjyqësore në vend

Shqipëria

Të hënën, asnjë seancë gjyqësore në vend

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 12:38

Ligji

“Me anë të këtij propozimi, synohet që të arrihet eliminimi i shtrembërimeve në trajtimin e pagesës së kontributit shëndetësor për të vetëpunësuarit, profesionistë të lirë”

Vetëpunësuarit

Përfshihen edhe tatimpaguesit, të cilët ofrojnë shërbime si profesionistë të lirë, të tillë si noter, doktor, farmacist, avokat, inxhinier, vlerësues pasurish, kontabilist, stomatolog, arkitekt

Avokatët grevë njëditore, kundërshtojnë Paketën Fiskale të qeverisë që u rriti taksat profesionaleve të lira. Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj: Në momentin që nuk mbrojmë dot veten tonë, nuk mund të mbrojmë të tjerët

Avokatët

Pagesat – Konstatohet se pagesat që duhet të kryejnë avokatët, nëse ligji do të miratohet, do të jenë afërsisht në shumën e rreth 25 000 lekëve çdo muaj si kontribut për sigurimet shoqërore

Ligji – Ligji favorizon konkurrencën e pabarabartë të këtyre profesionistëve të futur rishtazi në treg me avokatët apo zyrat e avokatisë të konsoliduara në këtë treg

Të rinjtë – Kjo do të sjellë për pasojë që shumë avokatë të rinj të detyrohen të mbyllin veprimtarinë e tyre, për shkak të mospërballimit të këtij detyrimi për ta

Sokol Çobo

Avokatët do të braktisin seancat gjyqësore ditën e hënë, më 8 shkurt, në një grevë që vjen si kundërshtim ndaj Paketës Fiskale të vitit 2016, ku qeveria ka parashikuar rritjen e taksave për profesionet e lira, përfshirë edhe atë të mbrojtësve ligjorë. Dhomat e Avokatisë apo shoqatat, kanë paralajmëruar se asnjë avokat nuk do të paraqitet në seanca gjyqësore ditën e hënë, duke paralajmëruar grevën njëditore.

Dy ditë më parë, i njohur me këtë bojkot, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e ka kundërshtuar këtë nismë, duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje tjetër. Por kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj, thotë se greva do të realizohet, si kundërshtim i politikave të qeverisë. Ai thotë se, nëse avokatët nuk mbrojnë dot veten, atëherë nuk mund të mbrojnë të tjerët.

Greva njëditore

Dhoma Kombëtare e Avokatisë, me anën e një njoftimi, njoftoi bojkotin e gjyqeve më 8 janar. “Këshilli Drejtues, pasi diskutoi në lidhje me ndryshimet në ligj dhe VKM-në me numër 37 të datës 21 janar 2016 ‘Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të’ konstatoi se këto akte cenojnë rëndë liritë dhe të drejtat kushtetuese e ligjore në ushtrimin e profesionit të avokatit”, thotë Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Sipas saj, këshilli në mënyrë anonime vendosi se dita e hënë, datë 8 shkurt 2016 të bojkotohen në rang vendi të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore, në çdo nivel gjykimi.

“Dita e bojkotit do të jetë vetëm fillimi i një procesi që do të zgjatet në varësi të reflektimit të shtetit. Nuk do t’i nënshtrohen bojkotit vetëm seancat që do të zhvillohen lidhur me masat e sigurimit personal. Avokatët duhet të marrin masa për njoftimin e klientëve të tyre për të marrë masat për përfaqësim individual në gjykata dhe për të kërkuar shtyrjen e seancave të kësaj dite”, thotë Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Sipas saj, avokatët që do të veprojnë në kundërshtim me këtë vendim bojkoti, konsiderohen në shkelje të rëndë të ligjit “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, statutit dhe Kodit Etik të Avokatit dhe për rrjedhojë do t’i nënshtrohen procedimit disiplinor.

Mësohet se të gjitha dhomat lokale e kanë pranuar këtë bojkot. Dhoma e Avokatëve të Fierit thotë se “në këtë datë nuk do të ketë asnjë avokat në proceset gjyqësore në shenjë proteste, për shkak të anarkizmit të ‘‎Rilindjes’ për taksat aforfe ndaj profesioneve të lira”.

Manjani dhe shoqatat

Dy ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u bëri thirrje avokatëve të mos braktisin detyrën e shërbimit publik. “Në mënyrë të veçantë të mos braktisen seancat për masën e sigurisë. Avokatët e shërbimit ligjor falas të jenë disponibël për të dhënë shërbimin. I bëj thirrje trupës gjyqësore të shmangë zvarritjen e çështjeve”, tha Manjani. Ndërkohë, avokatët janë të bindur të realizojnë vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj, në një intervistë për mediat shqiptare, edhe pse e cilëson bojkotin si një masë ekstreme, e quan atë të domosdoshëm për integritetin dhe profesionin e avokatëve.

“Është një masë ekstreme, ne jemi të ndërgjegjshëm. Nuk e dëshirojmë braktisjen e seancave gjyqësore, por ne jemi për të mbrojtur të drejtat procedurale të klientëve tanë. Jemi në një masë ekstreme, pasi në momentin që nuk mbrojmë dot veten tonë, nuk mund të mbrojmë të tjerët. Do të shohim reagimet ditën e nesërme dhe nëse nuk do të ketë reagim të Këshillit të Ministrave as të premten, dita e hënë do të jetë fillimi i një greve njëditore. Më pas, në bazë të reagimit do të vendoset për veprime të mëtejshme”, deklaron Vishaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat