Rama: Ardhja e Kerry-t në Tiranë, vizitë e rëndësishme në kohë sfidash të përbashkëta

Shqipëria

Rama: Ardhja e Kerry-t në Tiranë, vizitë e rëndësishme në kohë sfidash të përbashkëta

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 08:46

Kryeministri Edi Rama e konsideron shumë të rëndësishme vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka komentuar zyrtarizimin e vizitës së Kerry-t.

“U zyrtarizua vizita e Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë:14 shkurt; vizitë shumë e rëndësishme në një kohë sfidash të përbashkëta!”, shkruan Rama.

Lajmi i vizitës së zyrtarit të lartë amerikan u konfirmua nga Departamenti i Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar të pasdites së të enjtes.

Vizita e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë. Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.

Më tej në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e fuqishëm dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat