Sekretari i Shtetit Kerry viziton Tiranën më 14 shkurt

Shqipëria

Sekretari i Shtetit Kerry viziton Tiranën më 14 shkurt

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 21:41

Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar të pasdites së kësaj të enjteje ka bërë të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt.

Ndalesa e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë. Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.

Më tej në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas Shqipërisë, kryediplomati amerikan do të rikthehet në SHBA, ku në Sunnylands, Rancho Mirage, të Kalifornisë do të bashkohet me Presidentin amerikan, Barack Obama, në samitin mes SHBA-ve dhe ASEAN (rajoni Azi-Paqësor), më 15 dhe 16 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat