Tahiri i përgjigjet akuzave të opozitës: Viktimat reale të drejtësisë së munguar janë qytetarët

Shqipëria

Tahiri i përgjigjet akuzave të opozitës: Viktimat reale të drejtësisë së munguar janë qytetarët

Nga: Gjergj Koja Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 18:35

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri iu përgjigj akuzave e opozitës, duke thënë në Kuvend se ato nuk kanë limit dhe janë vetëm për përfitim politik.

“Viktimat reale të drejtësisë së munguar, janë qytetarët”, deklaroi Tahiri, i cili shtoi se do të përgjigjet përballë çdo akuze të opozitës, në Prokurori. Ai e cilësoi ngjarjen në Elbasan të një nate më parë, të rëndë, por një histori kriminale 10-vjeçare, për të cilën ka patur 8 viktima, por vetëm 2 të dënuar. Gjithashtu, Tahiri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës sipas të cilës policia është e përfshirë në krim.


“Për ngjarjen e Durrësit, ku një polic i kohës suaj është i përfshirë në krim, ç'a të them unë, që ishte polici juaj? Jo, s’ka kuptim. Keni akuzuar për lidhjet e mia me krimet, për lidhjet e kryeministrit me krimin. Jeni ftuar në gjyq dhe humbët, e morët aty përgjigjen në gjyqin me kryeministrin. Ndërkohë unë gjyqin tim nuk po e vazhdoj dot, në emër të fjalës së lirë për të shpifur? Në këtë foltore linçohen lloj–lloj skenarësh, sa herë ka një vrasje, vjedhje, një vepër penale. Por kjo nuk është mënyra më e mirë për të bërë publike. Çfarë po i thoni njerzve sesa herë ka një vepër, fajin e ka ministri? Po mirë, pse nuk thoni një fjalë të mirë për punën e policisë, lëreni ministrin? Ju keni një kampion, vitin 2015 për rezultatet e policisë. Fshehim vrasjet? Po kush e fsheh, unë, polica, prokuroria, familjarët e atij që vritet? Nuk ndodh kjo", deklaroi Tahiri.

Ai shtoi se Policia është institucioni i vetëm që ka rritur besimin te publiku, sipas sondazhit të NDI. “Parlamenti ka humbur besueshmërinë te publiku, për atë sesi sillemi këtu, për çfarë flasim, çfarë diskutojmë, çfarë zgjidhje japim”, shtoi ministri.

Gjithashtu, Tahiri reagoi edhe ndaj deklarateve të mëparshme të Berishës.
“Është e pafalshme, që ish-kryeministri bën thirrje anti-kushtetuese, ai po bëhet statuja më e madhe sesi nuk duhet të sillet njeriu në parlament”, theksoi ai.

Ministri pranoi se duhet të ketë një debat real në parlament për arsyet e kriminalitetit. “Duhet të shkojmë tek arsyet që na kthejnë në vitet ’90. Nëse 2 shqiptarë vritet për pronën, ju e drejtoni gishtin te policia, por unë e drejtoj te puna e munguar e institucioneve në 25 vjet”, u shpreh ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat