Kuvend-Bushati:Fondi i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria rol në rritje në rajon

Shqipëria

Kuvend-Bushati:Fondi i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria rol në rritje në rajon

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 14:48

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha sot në Kuvend se krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor shënon një rol në rritje të Shqipërisë sa i takon politikës së jashtme në rajon dhe procesit të bashkëpunimit rajonal.

Duke marrë fjalën në seancën e sotme, ku pritet të ratifikohet marrëveshja ‘për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor’, një strukturë e përbashkët që synon nxitjen e procesit të integrimit europian, mbështetur në modelin e Grupit të Vishegradit, ministri Bushati tha se ky dokument synon normalizimin e klimës së marrëdhënieve politiko- ekonomike në rajon dhe ka një impakt të drejpërdrejtë në projektin e vendeve për afrimin me Bashkimin Europian.

“Për herë të parë ne kemi krijimin e një instance ndërkombëtare me efekt rajonal që do të ketë selinë në Tiranë dhe kjo për herë të parë nga shembja e regjimit komunist. Po ashtu, për herë të parë drejtues i kësaj instance do të jetë një nga diplomatët shqiptarë’, tha Bushati.

Fondi, vijoi ministri, synon të nxisë marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat që thellojnë njohjet mes vendeve tona në fusha si edukimi, arsimi, mjedisi, kultura, bashkëpunimi ndërkufitar dhe bashkëpunimi rinor.

Fondi, që do të disponojë një buxhet fillestar prej 260 mijë eurosh, do të bëhet operacional në momentin kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do ratifikojnë marrëveshjen në parlament, sqaroi ministri i Jashtëm.

Z. Bushati bëri të ditur gjithashtu se themelimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor do të pasohet nga nisma për bashkëpunim rinor, një iniciativë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç, me mbështetjen e kancelares Merkel.

Sekretariati i Bashkëpunimit Rinor do të ketë selinë në Tiranë dhe në harkun kohor të pak muajve do të jetë mundësia që të kemi në kryeqytetin shqiptar dy qendra të rëndësishme, sa i takon bashkëpunimit rajonal.

Vendet pjesëmarrëse të Fondit janë Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat