Amnisti për 1000 të dënuar, ja kush përfiton

Shqipëria

Amnisti për 1000 të dënuar, ja kush përfiton

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 20:44

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani foli për nismën e ndërmarrë nga dikasteri i tij për përpilimin e një ligji për dhënie amnistie në burgje.

Ky ligj që pritet të finalizohet në fund të vitit 2015, përfshin një grup të dënuarish për veprash të ndryshme penale, shkruan “Shqiptarja”. Bëhet fjalë për një numër që varion nga 800 deri në 1000 të dënuar, shifër kjo që mund të ndryshojë, por që po diskutohet në vijim për t’u amnistuar.

Momentalisht projekti është në fazën fillestare të diskutimit në Ministrinë e Drejtësisë, e cila mësohet se në ditët në vijim do vendosë për ngritjen e grupeve të punës për të përcaktuar dhe veprat penale që do amnistohen.

Amnistia për një numër të konsiderueshëm të dënuarish, duket se është parashikuar në formën e “dhuratës”, me rastin e festave të fundvitit. Ajo nuk përfshin të dënuarit për krime të rënda, por të dënuar që kanë edhe pak kohë të mbetur për të dalë nga burgu, personat e dënuar me kusht apo me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në një datë të caktuar.

Nga kjo amnisti pritet të përfitojnë dhe të dënuarat femra, të cilat janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Ministri Manjani u shpreh dje në një intervistë për “Tonight Ilva Tare” se, nga amnistia përjashtohen të dënuarit për krime të rënda, si vrasje, trafik droge e shumë vepra të tjera penale të rënda.

“Arsyeja pse mora këtë është mbipopullimi. Është çështje e ngritur për hir të vërtetës dhe nga Avokati i Popullit edhe nga organizatat ndërkombëtare. Sigurisht flitet për gjera të lehta, për të mitur dhe për gra. Për gjëra të kësaj natyre jo për krime të rënda”, është shprehur Manjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat