Pranimet në universitet tani pa Maturë Shtetërore

Shqipëria

Pranimet në universitet tani pa Maturë Shtetërore

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 17:48

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë, merr fund përfundimisht pranimi në universitete nëpërmjet procesit të Maturës Shtetërore. Duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, maturantët do të testohen vetëm për provimet, që janë kusht për të siguruar diplomën e maturës, jo më për të grumbulluar pikët, që do t’i çonin në auditorët e fakulteteve. Pra, nga viti i ri shkollor 2016-2017, procesi i Maturës Shtetërore do të ketë rëndësi dalëse dhe jo hyrëse, siç ka funksionuar për 9 vite në vendin tonë. Me përjashtim të mesatares, që përbën rëndësi, por edhe kjo vetëm në rastet kur fakulteti vetë vendos një kriter për mesataren, pasi notat që do të marrin nxënësit në provime, do të shërbejnë vetëm për të faktuar nivelin e tyre në lëndë të caktuara. Por, nuk dihet ende me siguri nëse për të fituar të drejtën për të qenë student në një prej universiteteve publike në vend, do t’i rikthehet ose jo përvoja më e vjetër në sistemin tonë arsimor, që është konkursi, pasi pritet që kriteret për pranimet e reja t’i kalojnë në kompetencë të plotë vetë universiteteve.

Vendimi i Arsimit

Vendimi është marrë, pasi procesi i Maturës Shtetërore u hoq që këtë vit shkollor nga Ministria e Arsimit në Kosovë, ndërsa në sistemin tonë arsimor kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm shkollor, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë. Sipas informacioneve që disponon gazeta, praktika e zbatuar tanimë në Kosovë do të mbërrijë edhe në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit për njehsimin e programeve dhe kurrikulave shkollore dhe akademike, i përpiluar në një prej kapitujve në ligjin e ri të arsimit të lartë. Me propozimin e MAS do të rrëzohet e ashtuquajtura reforma më e thellë që iu bë sistemit parauniversitar në vend nga qeveria “Berisha”, siç ishte procesi i Maturës Shtetërore, i aplikuar për herë të parë në shkollat e mesme të vendit në vitin 2006.

Pranimi në universitet

Reforma e re në arsimin e lartë ka përjashtuar përfundimisht procesin e maturës nga sistemi i mesëm arsimor, ndryshim ky që pasqyrohet në nenin 77, pika 1, në ligjin e ri të arsimit të lartë, i cili citon se “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare, të përcaktuar çdo vit me udhëzim të ministrisë përgjegjëse. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere pranimi shtesë. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve shpallen nga institucioni i arsimit të lartë, në fillim të semestrit të dytë të vitit akademik paraardhës dhe i vihen në dispozicion Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin”. Sipas tij, kriteret e aplikimit për vijimin e studimeve të ciklit të parë apo atyre të integruara të ciklit të dytë i ofrohen çdo individi, që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe që ka siguruar një prag minimal të rezultateve, përcaktimi i të cilit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa për sa u takon kritereve dhe aplikimit për ndjekjen e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, thuhet se do të jenë vetë universitetet ato të cilat do t’i përcaktojnë.

Dështimi i maturës

“Sistemi i koeficienteve, i zbatuar në vendin tonë, është i komplikuar dhe jo i përshtatshëm për sistemin tonë arsimor. Problemi që haset prej zbatimit të sistemit të koeficienteve, është se ai nuk merr në konsideratë autonominë dhe kriteret për përzgjedhjet. Edhe sistemi i ekuivalentimit të pikëve në notë, është krejt artificial”, u shprehën specialistët e bankës botërore në një studim në vitin 2007, kur Matura Shtetërore po zbatohej për vitin e dytë radhazi në vendin tonë. Sipas tyre, sistemi i maturës u cilësua totalisht i papërshtatshëm për pranimet në shkollat e larta, pasi tregon se sa i mirë është një kandidat në një lëndë, por jo në të gjitha lëndët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat