Gjiknuri: Rrjeti energjitik shqiptar ka nevojë për investime në shumën e 1.6 miliardë usd. Privatizimi i Albpetrol, jo tani

Shqipëria

Gjiknuri: Rrjeti energjitik shqiptar ka nevojë për investime në shumën e 1.6 miliardë usd. Privatizimi i Albpetrol, jo tani

Nga: Gjergj Koja Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 17:32

Në kuadër të diskutimeve për projekbuxhetin e vitit 2016, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, bëri të ditur se se rrjeti energjetik në Shqipëri kërkon një investim total prej 1.6 miliard dollarë, një shifër e papërballlueshme për shumë vite nga arka e shtetit. Investimet për vitin e ardhshëm kapin një shifër prej 20 miliard lekë që mendohet të vijnë nga arkëtimet e energjisë. “Vetëm rrjeti i shpërndarjes do 1.6 miliardë dollarë të kthehet në sistemet me parametrat perëndimorë.Do të thotë ulja dhe mbi të gjitha efiçenca e vetmenaxhimit të sistemit.Ulja e humbjeve dhe mirëadministrimi i sistemit”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë në lidhje me privatizimin e kompanisë Albpetrol Ministri i Energjisë deklaroi se për momentin kjo ide është lënë mënjëanë për shkak të uljes së ndjeshme të çmimit të naftës. “ Të heqim dorë për momentin edhe nga planet e privatizimit që kishim për shkak të rënieve të çmimit të naftës dhe ekzistencës së riskut të abandonimit të fushave nga mungesa e interesit”, tha ai.

Gjiknuri gjithashtu u shpreh se janë parashikuar fonde edhe për një projekt tjetër të rëndësishëm siç është forcimi i kapaciteteve për gazifikimin e vendit. “Është një grant i qeverisë zvicerane dhe këtu është parashikuar fondi lokal. Gjithashtu, një tjetër projekt që ka të bëjë me efiçencën e energjisë elektrike. Sëbashku me qeverinë gjermane po zbatojmë për herë të parë nëpërmjet një granti rehabilitimin e disa godinave publike.

Buxheti i Shtetit ka programuar këtu pjesën e vet të fondeve që do të bëjë të mundur implementimin edhe të projekteve të efiçencës energjetike. Pjesa tjetër e fondit ka të bëjë me vazhdimin e procesit të mbylljes së galerive të braktisura në miniera. Janë mbyllur qindra galeri në të cilat në vitet e shkuara ka pasur raste fatkeqësisht, ku njerëz kanë humbur jetën duke hyrë në mënyra të pa autorizuara. Ne, gradualisht po realizojmë mbylljen e galerive të braktisura dhe kemi parashikuar një fond edhe për këtë çështje. Në një periudhë disa vjeçare ne nuk do kemi më nga këto zgavra që janë shndërruar në ngrënëse të jetës së njerëzve”, sqaroi Gjiknuri.

Sipas tij, me këtë Buxhet, kuptohet edhe me ndonjë mangësi të vogël, realizohen objektivat që i kemi vënë vetes dhe objektivat që ka ministria për zhvillimin e këtyre sektorëve.

“Sektori energjetik vazhdon të performojë mirë, është një sektor që po bëhet kontribues i rëndësishëm i Buxhetit të Shtetit në mënyrë direkte dhe indirekte. Është kontribues nga pikëpamja fiskale, por është edhe në mënyrë indirekte pasi po ekspozon nga viti në vit shumë më pak Buxhetin e Shtetit ndaj rrisqeve që kishte marrë përsipër. Mjafton tu them faktin se në vitin 2013 ekspozimi i Buxhetit të Shtetit ndaj sektorit energjetik ishte në një vlerë mbi 21 miliard lekësh, pra mbi 200 milion USD me kursin e asaj kohe. Sot që flasim, e parashikuar për vitin 2016, ekspozimi do të jetë 5 miliard lekë dhe këto kryesisht për të garantuar investime. Pra, garanci sovrane që shkojnë në funksion të investimeve dhe jo për humbje, garantim humbjesh dhe vjedhjes të energjisë. Mund të them një shifër krejtësisht të matshme, për shkak të reformës energjetike Buxheti është çliruar me një vlerë mbi 16 miliard lekësh, pra 160 milion USD të cilat mund të përdoren nga qeveria shqiptare në funksion të projekteve të tjera. Qoftë këto projekte edhe në energjetikë, por ku të bëhen investime dhe jo të mbulohen humbje në sektorin elektroenergjetik”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat