Vasili: Ja qëndrimet e LSI për buxhetin, paketën fiskale dhe nivelin e borxhit!

Shqipëria

Vasili: Ja qëndrimet e LSI për buxhetin, paketën fiskale dhe nivelin e borxhit!

Nga: Gjergj Koja Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 17:24

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, komenton zhvillimet më të fundit politike në vend, përfshi ligjin për dekriminalizimin që pritet të miratohet në seancën parlamentare të së enjtes. Gjithashtu, Vasili shpreh qëndrimin e LSI kundrejt buxhetit të shtetit dhe paketës fiskale për vitin 2016.

Z. Vasili, të enjten pritet që Kuvendi i Shqipërisë të bëjë pjesë të axhendës së tij edhe miratimin e një sërë ligjesh që kërkojnë 84 vota, shumë prej të cilëve qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit për një kohë të gjatë. Një prej ligjeve është dhe ndryshimet në Kodin Penal në kuadër të informalitetit, për të cilat LSI në fakt që gjatë diskutimeve në komisione ka shprehur kritika për atë që konsiderohet si burgosje e bizneseve. Ka një tërheqje të lehtë të qeverisë, por gjithsesi cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë LSI në votimin e këtyre ligjeve që kërkojnë 84 vota të nevojshme për t’u kaluar?

Diskutimi dhe debati për këto çështje besoj se është konsumuar gjerësisht në komisionet parlamentare. Nuk ka pasur asgjë negative, madje unë do ta konsideroja një element shumë pozitiv që ky debat ka pasur një zhvillim pozitiv, edhe reflektime të cilat kanë ardhur pas një gjykimi gjakftohtë të këtyre problemeve. Ju e dini që ka pasur një riformulim të ligjit, në mënyrë të veçantë sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me dënimin për ato që kanë të bëjnë me informalitetin. Megjithatë, reflektimet që u bënë janë reflektime të mirëpritura dhe natyrshëm edhe mbështetja për këto projektligje është e plotë dhe e pa ekuivoke, pasi në fund të fundit, gjëja më pozitive që kemi stabilizuar si standard është, që debati parlamentar është i gjallë, zhvillohet dhe njëkohësisht prodhon edhe reflektim. E kundërta, sigurisht që do të ishte gjëja anormale, pra të kishim një miratim automatik, mekanik, pa debat, ku do të kishim rezerva, të cilat nuk do të shpreheshim apo nuk do të diskutoheshin. Kjo është gjëja pozitive që nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh në këtë mazhorancë. Ky është një standard pozitiv dhe natyrshëm debat i cili prodhon dhe reflektime pozitive, jo në të mirë të njërës apo tjetrës forcë politike, por në të mirë të një zgjidhje që i përgjigjet më mirë realitetit shqiptar. Sigurisht ecën në rrugën edhe të miratimit në sallën e parlamentit pa surpriza.

A keni diskutuar ju me pjesën tjetër të mazhorancës me PS?

Të gjitha qëndrimet dhe ndryshimet e përmirësimet që janë bërë, kanë ndodhur në një sintoni dhe në një sinkronizim. Kur themi mazhorancë PS-LSI apo LSI-PS, nuk kemi ndonjë diferencë. Diferenca qëndron vetëm në atë pikë, ku jemi në momentin e diskutimit dhe nuk është se kemi diferenca, pasi rezerva për formulime të caktuara dhe jo për ligje në tërësi, ka pasur edhe nga deputetë të LSI, edhe nga deputetë të PS. Pra, ka qenë një diskutim i gjallë që na ka çuar në disa formula më konkrete dhe më realiste, të cilat e bëjnë edhe të natyrshëm votimin pastaj në sallën e parlamentit. Dhe kështu duhet të ndodhë. Nuk duhet të jetë salla burim i surprizave. Diskutimet duhet të konsumohen në komisionet parlamentare dhe dakordësia ose jo duhet gjendur atje.

Sa i përket procesit të dekriminalizimit, është arritur më në fund një marrëveshje. Gjithsesi duhen ndryshime kushtetuese, të cilat duhet të kalojnë përfundimisht para se të jepet votimi final. Ka nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD drejtim të gishtave në kah të kundërt për vendndodhjen e personave të inkriminuar. A mund të themi që LSI në gjithë këtë betejë qëndron larg, pasi brenda radhëve të saj nuk ka asnjë person i cili mund të faktohet se ka pasur rekorde kriminale?

Çështja e dekriminalizimit është një problem madhor i cili më së fundmi ka një përgjigje, fatmirësisht konsensuale. Për këtë fakt madhor të konsensualitetit, LSI është e lumtur që i ka qëndruar kredos që kjo duhet të ishte zgjidhja. Një zgjidhje konsensuale, pasi është më e qëndrueshme dhe më legjitime. Kjo u arrit. Tani raportin e çdo individi me këtë ligj për mundësinë e përfaqësimit, këtë e zgjidh ligji. Tanimë ne jemi të qetë që ky raport nuk është më një raport subjektiv apo një raport që ndërtohet sipas dëshirave, por është një raport që ndërtohet drejtpërdrejt me ligjin. Për këtë arsye jemi më qetë besoj të gjithë, edhe mazhoranca, por edhe opozita. Nuk është më në dorë të interpretimit subjektiv të njërit apo të tjetrit, por do të jetë raporti i çdonjërit i cili kërkon që të përfaqësojë një forcë politike, me mundësinë e përfaqësimit të këtij ligji i cili ia ngushton hapësirat. Ia zeron hapësirat atij që ka rekorde kriminale dhe jep mundësi që tërë ata njerëz që nuk e kanë një problematikë të tillë, të kenë një atribut përfaqësimi dinjitoz për forca politike të caktuara, por mbi të gjitha të përfaqësojë qytetarët pasi edhe forcat politike përfaqësojnë qytetarët. Në këtë pikëpamje, dy rrugët e arsyetimit tonë politik kanë qenë, të ecim në rrugën e konsensualitetit dhe pastaj të jetë ligji ai që udhëheq veprimin.

Ndërkohë gjatë të premtes do të kemi një seancë të gjatë nëse do t’i referohemi traditës ku është diskutimi për projektbuxhetin. Gjatë gjithë kësaj periudhe ku ka pasur diskutime nëpër komisionet parlamentare, LSI ka shprehur kritika. Së pari për buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe së dyti edhe për atë që konsiderohet akciza e birrës. A do të keni të paktën për këtë të dytën ndonjë amendament?

Së pari, ne kemi mbështetur dhe mbështesim projektbuxhetin e qeverisë. Dhe të premten do të kemi mundësinë që të diskutojmë në parim këtë projektbuxhet, si i projekton financat e shtetit ky buxhet për vitin 2016, i cili është një vit i rëndësishëm i qeverisjes dhe se si ky garanton qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe të ekuilibrave makro-ekonomikë. Që në vështrimin paraprak, besoj që edhe në drejtim të qëndrueshmërisë, edhe të ekuilibrave makro-ekonomik, buxheti jep përgjigje pozitive. Besoj se ky është një nga elementët shumë të rëndësishëm, pasi Shqipëria lëviz nga një moment shumë i rëndësishëm ku ajo trashëgonte borxhe të mëdha dhe paqëndrueshmëri ekonomike dhe futet në një hulli të qëndrueshmërisë ekonomike, që mundëson pastaj dhe një rritje ekonomike, por njëkohësisht edhe një klimë më atraktive për tërheqjen e bizneseve. Ky është diskutimi në parim. Më pas do të jetë diskutimi nen për nen. Ne kemi pasur diskutimet tona, komentet tona. Nuk është çështje kundërshtie, por komentet tona kanë konsistuar në përmirësime të mundshme të cilat mendojmë se qeveria duhet t’i vlerësojë duke parë sigurisht dhe mirëkuptuar edhe ato kufizime apo shtrëngesa që vijnë edhe nga marrëveshja me FMN. Edhe kjo duhet marrë fort në konsideratë pasi marrëveshja me FMN është një marrëdhënie strategjike. Ne kemi bërë komentet tona të cilat kanë të bëjnë në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së buxhetit në momente të caktuara, në mënyrë të veçantë çështja e akcizës së birrës që kishte të bënte me një element parimor që është mbrojtja e prodhimit vendas.Personalisht e kam përkthyer, jo thjesht si një mbrojtje të biznesit vendas, por mbrojtje e disa mijëra vende pune që lidhen me ecurinë e këtij biznesi, i cili në rast se do të hynte në krizë apo fatkeqësisht do të falimentonte, do të thoshte që mijëra njerëz shkonin në shtëpi. Ne si forcë politike dhe mua si politikan më ka shqetësuar në radhë të parë kjo tronditje sociale që do të vinte nga papunësia se sa thjesht e vetëm ekzistenca e një biznesi apo fitimet që mund të realizonte ky biznes. Shëndetësia është vend i një debati të përhershëm. Është shumë mirë që ka debat. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që për shëndetësinë të mos ketë pasur debat në vite të tëra. Kjo ka ndodhur edhe kur e majta ka drejtuar, edhe kur e djathta ka drejtuar, edhe kur përsëri e majta ka drejtuar.Në fund të fundit një gjë është fakt, që buxhetet e shëndetësisë kanë nevojë të jenë gjithmonë e më të mëdhenj. Dihen edhe shtrëngesat që ka buxheti, pamundësitë objektive që buxheti ka për të arritur nivelet optimale. Por sugjerimet janë edhe për një shpërndarje më të ekuilibruar, për të qenë vende-vende edhe më konkret dhe më realist apo për diçka që mund të bëhet nesër të bëhet nesër dhe diçka që mund të bëhet sot mund të bëhet sot. Por besoj se këto janë dhe të karakterit teknik. Sigurisht konstruktiv dhe dashamirës brenda atyre kornizave që buxheti imponon. Në të gjitha rastet ne do të sugjerojmë dhe do të jemi këmbëngulës që të ketë reflektime, sigurisht palëvizur thelbin e projektbuxhetit dhe duke e mbështetur projektbuxhetin së bashku dhe me anekset e tij që kanë të bëjnë me pjesën e zbërthyer të neneve përkatëse. Çdo përmirësim që lind nga debati parlamentar do jetë i mirëpritur, por nuk është ky një kushti i cili kushtëzon votën tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota jonë do të jetë në mbështetje të projektbuxhetit i cili bëhet një ligj tashmë operativ për vitin 2016

Meqë jemi tek buxheti z. Vasili, qeveria ka shprehur disa herë faktin se deri tani ka qenë e detyruar të shlyejë disa borxhe të mbajtura të fshehura nga qeveria paraardhëse dhe vetë Kryeministri Rama ka deklaruar se tashmë këto borxhe janë gati të shlyera totalisht. Por gjithsesi edhe në buxhetin e vitit 2016 nuk shikojmë investime të mëdha. Në gjykimin tuaj kjo nga se vjen? Ka ndonjë lloj ndoshta frike nga ana e qeverisë për të investuar, për të bërë ndoshta një vepër të madhe me qenë se tashmë kjo gjylja që e mbante të ndaluar nuk është më?

Unë besoj që qeveria është ndodhur jo për shkak të saj, por për shkak të trashëgimisë që mori, jo vetëm për para një borxhi financiar, por dhe një morie veprash të filluara dhe të papërfunduara. Tani është fakt që një vepër madhore siç është Rruga e Kombit kërkon disa dhjetëra milionë euro të tjera për t’u përfunduar. Praktikisht dhe teorikisht duhet të ishte një çështje e filluar dhe e mbaruar nga qeveria pararendëse. Kjo gjë s’ka ndodhur, kjo implikon fonde të rëndësishme në buxhet. Po ashtu kemi akse të tjera, po marrim infrastrukturën e cila sigurisht kërkon financime më të mëdha, siç është edhe aksi Tiranë-Elbasan. Ju e dini shumë mirë që u hap tuneli, por një pjesë shumë e rëndësishme e infrastrukturës së kësaj rruge nuk u përfundua. Po e njëjta gjë ka ndodhur me disa by-pass-e të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhdërvjelltësinë e rrugëve nacionale, dhe po kështu dhe me vepra të tjera. Do të thotë që kemi përplasjen e dy mentalitete: një mentaliteti të një serioziteti dhe të një qëndrueshmërie në sensin maksimalist të qeverisë aktuale, pra për të qenë serioze që punët e filluara të çohen deri në fund, dhe një mentaliteti shumë më populist, sepse nuk kam çfarë epiteti tjetër t’i vendos, për hapjen e shumë kantiereve dhe për krijimin e një klime që diçka e madhe ndodh dhe lëviz dhe duke lënë punë të pambyllura.Besoj që Shqipëria duhet të pajtohet përfundimisht me atë që ka edhe vizioni europian në buxhet, pra punë që fillojnë dhe përfundojnë. Sepse faturat të cilat u trashëgohen qeverive njëra pas tjetrës dhe infrastruktura, të cilat duke mos përfunduar vazhdojnë të përkeqësohen dita-ditës, sepse sigurisht punët e lëna në mes vetëm do të implikojnë fonde të tjera, besoj që është e pashëndetshme për një ekonomie të dobët si ekonomia shqiptare. Besoj se ky qëndrim i qeverisë edhe i kujdesshëm, edhe realist dhe me idenë për të mbyllur përfundimisht punët e nisura pastaj për të filluar punë të tjera, është edhe më e dobishme edhe për përdorimin e financave publike, por edhe për shqiptarët që nisen nga Tirana dhe për të përfunduar në Elbasan hyn në një rrugë të vjetër, dalin në një copë rrugë të re, hyjnë në një tunel, shkojmë prapë në një rrugë te vjetër, do të thotë një vepër e pambaruar. Kjo ishte thjeshtë për të ilustruar një element. Por të tillë ka plotë në territor.

Z. Vasili edhe një pyetje, ka të bëj me funksionimin e LSI-së. Nga njëra anë shikohet, ju jeni dy parti brenda një aleance siç është PS-ja dhe LSI-ja, por në fakt PS ka nisur një fushatë le të themi të cilin e quan të pastrojmë Shqipërinë, por një fushatë që e bashkon me qytetarët edhe që i paraprinë zgjedhjet. Ana tjetër është LSI dhe a do të ketë ajo të njëjtat fushata, keni ndonjë strategji duke qenë se do të fillojnë zgjedhjet dhe sigurisht që kur vjen puna tek vota, partitë politike ndahen me njëra-tjetrën dhe sigurisht që mendojnë të sigurojnë as më shumë vota? A do të kemi të njëjtën strategji edhe nga LSI apo keni menduar diçka tjetër?

Unë nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë as strategjinë politike, as veprimet politike të asnjë force politike tjetër përveç LSI-së. Dhe këtë sigurisht do ta vazhdoj ta bëj, sepse nuk është korrekte çfarëdolloj komenti, sepse askush nuk ka të drejtë dhe është tërësisht jashtë të drejtës së tij politik të komentojë mënyrën se si e ndërton një forcë politike veprimin e saj.

Po ju e dini që PS ka një impenjim politik, që ka kongresin e saj politik përpara dhe besoj se e gjithë veprimtaria është e lidhur dhe me një aksion të rëndësishëm për të siç është mbajtja e kongresit ku ajo rinovon, të paktën kjo është bërë publike, të gjitha forumet e saja duke filluar nga kryetari i partisë deri tek rifreskimi dhe ky proces politik në çdo forcë politike paraprihet sigurisht me takime. Ju e dini takimet kanë qenë, jo takime thjeshtë me popullin, kanë qenë takime kryesisht me struktura të Partisë Socialiste.Patjetër, por jo vetëm sepse i paraprinë edhe zgjedhjeve në të njëjtën kohë dhe pyetja ime konsistonte këtu, a do të keni edhe një fushatë që i ngjan kësaj për ti paraprirë zgjedhjeve ?

Besoj se ne nuk jetojmë mbi ngjashmëritë e njëri-tjetrit. Besojmë tek individualitete e spikatura, që secili ka dhe që janë komplementare me njëri tjetrin.

Z. Vasili është folur shumë kohët e fundit për një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe sistemi që është propozuar ka të bëjë me të ashtuquajturin, sistemin “Prim”. Disa propozojnë idenë e sistemit me “prim” për partitë, ndërsa të tjerë, z. Berisha për shembull ka hedhur idenë se një sistem me “Prim” do të ishte më i përshtatshëm për koalicionet, jo për paritë. Ju e shikoni nevojën për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe a do të mbështeste LSI një ndërhyrje të ngjashme, qoftë pra për sistemin për partinë apo sistemim për koalicione apo ndoshta keni një propozim tuajin?

Së pari, për t’i vënë punët drejtë, unë e kam të pamundur të komentoj mbi hamendje. Sot në publik lidhur me këtë çështje që ju diskutoni ka një qëndrim shumë të qartë, të prerë të Kryeministrit Rama, i cili përgënjeshtron, i cili të ketë diskutuar dhe të flas për këtë gjë, dhe për të njëjtin pozicion ka edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha. Ndërkohë, Kodi Zgjedhor, apo çështjet e zgjedhjeve kanë një plan detyrash shumë të qarta dhe të rëndësishme të lënë nga OSBE-ODIHR, detyrim për politikën shqiptare për t’i përmbushur në mënyrë që zgjedhjet të janë sa më afër një standardi sa më të mirë pranuar dhe demokratik. Tani përsa kohë kemi detyra të qarta, të bashkëndara nga gjithë politika shqiptare që duhen zbatuar, ne përkundrejt hamendjeve, ideve, supozimeve kemi këtë plan konkret. Ju e dini që kemi qëndrim politik, kemi qenë forca politike e parë, e cila është prononcuar publikisht që duhet të fillojmë sa më parë punën për të shëruar këtë plagë, që zgjedhjet tona kanë marrë në procesin e fundit zgjedhor, sepse OSBE-ODIHR na thotë qartë në rast se ju reflektoni për këto çështje që ne kemi listuar, ju do të keni zgjedhjet që duhen me standardin më të lartë të mundshëm. E kemi detyrën përpara, të gjithë së bashku hajde t’i futemi ta zbatojmë.

Jemi pak a shumë në gjysmën e mandatit qeverisës dhe ju keni detyrën e rëndësishme të kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së dhe dihet që në Shqipëri, parlamenti ka rolin e kontrollit të punës mbi qeverinë. Nga kjo pikëpamje, ju pikërisht meqë jeni në gjysmën e mandatit qeveritar a do të kishit një këshillë, ose një vërejte, diçka ku mendoni se mund të përmirësohet qeverisja? Diçka që ndoshta nuk ka funksionuar ashtu siç duhet në këtë periudhë dhe ka vend për përmirësim?

Unë në mënyrë të veçantë në aspektin politik dhe publik kam detyrën, gjë të cilën unë, kur them unë kam parasysh gjithë grupi parlamentar shumë të rëndësishëm e të nderuar i LSI-së, që të japë mbështetjen për qeverisjen e vendit, të jetë aktiv duke sugjeruar gjithmonë zgjidhje gjithnjë e më të mira. Kjo është një gjë pozitive që qeveria shpeshherë ka qenë e vëmendshme dhe reflektuese në këtë drejtim. Detyrën e kontrollit të fortë dhe të kritikës, ia kemi lënë dhe ne dhe Kushtetua, opozitës të cilës i lypset ta bëj sa më mirë në qoftë se do të dojë të jetë protagoniste të vendit.

Një kritikë nëse do të ma lejoni, ndoshta nuk e di mund të jetë një sugjerim, i ka ardhur qeverisë edhe nga pjesëtar të njohur të mazhorancës përsa i përket për shembull rritjes së borxhit. Ju nuk e di, e ndani një shqetësim të tillë?

Kam vetëm këtë pozicionim lidhur me këtë çështje. Çështja e borxhit shqiptar në të shkuarën dhe të tashmen ka qenë nën monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare. Dhe unë bëhem shumë i vëmendshëm, reflektues nga ana politike, por dhe jo vetëm, në rast se nga institucionet ndërkombëtare, të cilat janë ato vlerësueset e kësaj çështje, ngrenë një preokupacion me borxhin. Në rast se ata mendojnë që ky nivel borxhi nuk e ç’ekuilibron ekonominë shqiptare unë jam i prirur të dëgjoj dhe të besoj ata.
Pjesët e tjera janë pjesë të komentit politik të cilët nuk kam vokacionin e një ekonomisti, as të zot e as të pazot, se nuk është ekonomia zanati im. Por në qoftë se raportet FMN apo Bankës Botërore etj, japin alarmin se borxhi është i tillë kritik, unë dhe gjithë LSI-ja apo e gjithë mazhoranca në mënyrë të përgjegjshme do të mblidhej dhe do të diskutonte gjerësisht për këtë çështje. Në rast se ata thonë në këtë mënyrë si e kemi ideuar mënyrën e ecjes përpara të ekonomisë, ky borxh është një borxh i cili është i administrueshëm, ka mundësi të ulet me kalimin e kohës, ekonomia do të jetë më e qëndrueshme, atëherë le të kemi besim të plotë tek ata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat