Meta-Heveling: Shqiptarët duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për punësim të ligjshëm në Gjermani

Shqipëria

Meta-Heveling: Shqiptarët duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për punësim të ligjshëm në Gjermani

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 15:58

Kreu i Kuvendit Ilir Meta tha gjatë një takimi me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag, Ansgar Heveling se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë për punësim të ligjshëm në Gjermani të qytetarëve shqiptarë. Meta diskutoi me Heveling progres raportin, krizën e refugjatëve, reformat që po bën Shqipëria në drejtësi e më gjërë si dhe bashkëpunimin dy palësh.

Kryetari i Kuvendit e njohu Heveling me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe veçanërisht me reformat në fushën e zbatimit të ligjit, siç janë dhe masat e ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Progres-Raporti i Komisionit Evropian dhe po punon ngushtësisht me ekspertët ndërkombëtarë për përfundimin e reformës në fushën e drejtësisë.

Duke vlerësuar konsensusin e arritur për procesin e dekriminializimit, Ilir Meta theksoi se jemi të vendosur në vendosjen e standardeve më të larta për të gjithë përfaqësimin politik dhe të administratës publike, ndërsa evidentoi si tepër të rëndësishëm integritetin dhe profesionalizmin e të gjithë të zgjedhurve në çdo nivel dhe të administratës publike në tërësi.

Nga ana tjetër Heveling vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën e reformave, veçanërisht atë të drejtësisë, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve.

Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag theksoi se kriza e refugjateve, veçanërisht fluksi i lartë i tyre nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme përfaqëson një sfidë të rëndësishme që kërkon angazhim, solidaritet dhe përpjekje të përbashkëta për përballimin e saj.

“Kjo krizë është edhe një mundësi më shumë për të treguar se jemi pranë njëri-tjetrit dhe për të rritur bashkëpunimin, pasi Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij, përfshirë vendet e Ballkanit, duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar me njëri-tjetrin, duke ndarë përgjegjësitë dhe barrën e kësaj krize”, tha Heveling. Ai vlerësoi rolin që Shqipëria luan si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjatë bashkëbisedimit, Heveling vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes komisioneve parlamentare të çështjeve të brendshme dhe të sigurisë të dy vendeve, si dhe konfirmoi se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, me ftesë të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat