Buxheti i MZHU, Gjermeni: 1/5 e fondit për hartimin e planeve të përgjithshme vendore

Shqipëria

Buxheti i MZHU, Gjermeni: 1/5 e fondit për hartimin e planeve të përgjithshme vendore

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 15:08

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni prezantoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisin “P/Buxhetin 2016” për zhvillimin urban dhe strehimin. Për vitin e ardhshëm, për MZHU janë alokuar dy miliard e katërqind e pesëdhjetë e një milionë Lekë ose 26.3% më shumë se fondi i alokuar në 2015, sipas fushave të përgjegjësisë që mbulon.

1/5 e këtij fondi ose pesëqind e gjashtëdhjetë milionë Lekë do të përdoren për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore në 26 bashki të vendit.

“Përzgjedhja e 26 njësive vendore, nuk ka qenë aspak e diktuar politikisht, por i vetmi kriter i përdorur ka qënë territori gjeografik dhe potencialet ekonomike që këto bashki mbartin për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar ekonomiko - social dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, tha ministrja Gjermeni.

Projektbuxheti i vitit 2016 me fondin e alokuar prej 80 milionë Lekë siguron funksionimin e plotë të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, si dhe ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit (One Stop Shop).

Ndërsa me fondin e parashikuar në vlerën rreth 513.2 milionë lekë do të mundësohet kryerjen e procesit të legalizimit dhe të përpunimit të informacionit tekniko ligjor për rreth 50 mijë praktika legalizmi (legalizimi i 50 mijë objekteve) për ndërtime kryesisht në zona informale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat