Zbukurimet e fundvitit, Veliaj: Sheshi “Nënë Tereza” si një fshat Krishtlindjesh

Shqipëria

Zbukurimet e fundvitit, Veliaj: Sheshi “Nënë Tereza” si një fshat Krishtlindjesh

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 13:50

Ndërkohë që data shënon 1 dhjetor dhe festat e fundvitit po afrohen, zbukurimet janë ato që sjellin më shumë atmosferën e bukur.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një prononcimi për mediat tha se këtë vit do të ketë një mënyrë të re zbukurimi, duke dhënë sipas tij, atmosferën e vërtetë të festave.

“Ne kemi pasur 4 vjet rresht të njëjtin dekor, i cili paguhej 4 herë rresht ndërkohë që ne kemi zgjedhur që këtë vit, t’i japim kryeqytetit një atmosferë të vërtetë festive. Kemi ftuar kompani private duke qenë se bashkia i ka mundësitë e limituara, që secila kompani të adaptojë një rrugë dhe për herë të parë do të kemi zbukurime në të gjithë qytetin. I kam kërkuar edhe administratorëve që nëpër lagjet dhe komunat që administrojnë të bëjnë diçka për zbukurimin.

Veliaj sqaroi se epiqendra e zbukurimeve do të jetë sheshi “Nënë Tereza”, ku në datën 6 dhjetor do të kemi një fshat Krishtlindjesh, për t’i dhënë atmosferë fëmijëve.

“Epiqendra e zbukurimeve do të jetë “Nënë Tereza”, deri në datën 6 dhjetor, do të kemi një fshat Krishtlindjesh për t’i dhënë pak atmosferë fëmijëve. Bashkia do t’i dedikohet totalisht fëmijëve këtë muaj. Do të kemi produkte vendase për të promovuar, tregje provizore, ndërsa tregu i gjësë së gjallë do të jetë në Baldushk, ku është zona që ka prodhimin më të madh të gjelave të detit”, u shpreh Veliaj.

Ai shpjegoi se do të ndalohet shitja e gjësë së gjallë nëpër rrugët e Tiranës, siç ka ndoshur çdo vit dhe për këtë janë përgatitur disa grupe task-forcë për të ndaluar këto shitje.

Ndërkohë, që në sheshin “Nënë Tereza” do të ketë pistë patinazhi, cirk, lojra për fëmijë dhe kabina prej druri të zbukuruara.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve, që të mos mashtrohen nga çmimet e larta të produkteve, pasi sipas tij, ushqime do të ketë edhe në datën 2 apo 3 janar.

“Ne jemi në kapitalizëm dhe ushqime do të ketë edhe në datën 2 apo 3 janar, kështu që nuk ka nevojë të kemi mendësinë e viteve ’70, ku duhet mbushur shtëpia dhe duhet blerë me çmime stratosferike”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat