Ligj i ri “Për menaxhimin e kimikateve”

Shqipëria

Ligj i ri “Për menaxhimin e kimikateve”

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 13:46

Një ligj i plotë “Për menaxhimin e kimikateve” i hartuar nga qeveria dhe i përcjellë për shqyrtim në Kuvend, synon të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe mjedisit përmes përcaktimit të kufizimit të prodhimit, vendosjes në treg dhe përdorimit të kimikateve, importit e eksportit të tyre, etj.

Ligji, i hartuar sipas standardeve europiane, synon të krijojë një sistem menaxhimi të kimikateve në një linjë me atë të BE-së, duke përcaktuar rregullat përpara vendosjes në treg të një kimikati apo përzierje kimikatesh.

Zbatimi i ligjit do të bëhet nga Zyra e Kimikateve, që do të jetë dhe autoriteti përgjegjës për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventat europiane ku Shqipëria bën pjesë, dhe do të mbulojë në mënyrë të integruar të gjitha çështjet që lidhen me kimikatet. Kjo Zyrë, përveçse do të garantojë menaxhimin e integruar të gjithë ciklit jetësor të kimikateve, do të shërbejë dhe si institucion thithës dhe zbatues projektesh në vendin tonë, të financuar nga fondet IPA të BE-së apo donatorëve të tjerë. Deri më sot vendi ynë nuk përfiton nga këto fonde për shkak të mungesës së kapaciteteve institucionale.

Projekligji, i organizuar në 45 nene, mes të tjerash parashikon dhe sanksione për kundravajtësit, për rastet e prodhimit, vendosjes në treg apo përdorimit të kimikateve dhe artikujve të rrezikshëm.

Kështu neni 42 i ligjit përcakton dënimin me gjobë në vlerën 300 mijë – 500 mijë lekë për përdoruesin; 500 mijë deri në 1 milion lekë për furnizuesin dhe 1 milion deri në 2 milion lekë për prodhuesin apo importuesin.

Po ashtu, prodhimi, vendosja në treg apo përdorimi i një kimikati të rrezikshëm nga persona nën moshën 18 vjeç, dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë; ndërsa prodhimi dhe vendosja në treg e kimikateve të rrezikshme të paklasifikuara, të papaketuara dhe të paetiketuara, dënohet me gjobë nga 1 milion deri në 2 milion lekë, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat