Buxheti i Shtetit 2016, Veliaj kritika Qeverisë: Lë për të dëshiruar

Shqipëria

Buxheti i Shtetit 2016, Veliaj kritika Qeverisë: Lë për të dëshiruar

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 12:33

Buxheti i Shtetit për 2016 duket se ka prodhuar kundërshti jo vetëm tek opozita, disa anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të institucioneve, por edhe tek të zgjedhurit vendor. Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj nuk ka kursyer kritikat në drejtim të draftit të paraqitur nga Ministria e Financave, i cili ka nisur diskutimet në Komisionet Parlamentare. Kritikat e Veliajt kanë të bëjnë me shpërndarjen e fondeve për bashkitë përgjatë vitit 2016, ku sipas Kreut të Bashkisë më të madhe në vend, buxheti i përcaktuar nga Qeveria është më i vogël sesa ai i parashikuar për bashki të vogla.

"Buxheti i bashkive ende lë për të dëshiruar. Bashki si Tirana nuk mund të marrin 10 % të grantit të kushtëzuar. E di që detyra e qeverisë është të mendojë për provincat, por kërkesa që kemi bërë është se duhet të ketë pak proporcionalitet. Nuk mund të jetë 1 e 10-a e grantit, sepse trysnia e Tiranës për të ofruar shërbime nuk është vetëm lokale, por edhe e të gjithë atyre nga rrethet që marrin shërbime në Tiranë. Tirana kur e ndan buxhetin e ndan duke pasur parasysh sa banorë ka dhe si performon secila zonë", u shpreh Veliaj.

Në vijim ai shtoi se kur buxheti ndahet keq është koha për bashkim, duke iu referuar këtu të majtëve dhe të djathtëve në bashki. "Janë 99 arsye për tu bashkuar në një shoqatë të vetme. Edhe pse kemi shumicën e 3/4 të bashkive të vendit nuk duam ta shfrytëzojmë për të pasur një shoqatë me shumicë absolute, por një konsensus për të ecur përpara", shtoi Veliaj.

Me ndarjen e re territoriale, pritet që në janar të 2016-ës Bashkitë të marrin në kompetencën e tyre administrimin e pyjeve. Gjatë një tryeze të organizuar nga OSBE dhe Ministria e Çështjeve Vendore, kryebashkiaku Veliaj e quajti anomali faktin që bashkia trashëgon pyjet në vend që të ketë kontrollin e lokaleve në Tiranë në rastet kur qytetarët ankohen për muzikën e lartë pas orarit të lejuar, apo restorantet që ndosin me tym.

"Me ligjet e këtij shteti është Inspektoriati i Mjedisit i varur nga Ministria e Mjedisit që zgjidh zhurmën e lokaleve dhe konsiderohet ndotje. Nuk është normale që administrata e qeverisë në Tiranë të merret edhe me një lokal në Tropojë e të tjera. Këto duhen decentralizuar dhe të jenë në vëmendje të bashkisë. Nuk mund ta kuptojë qytetari se si bashkia që ka zgjedhur nuk ka në dorë të veprojë për muzikën e lokaleve Janë disa anomali që shpresoj se në vitin e ardhshëm do t'i zgjidhim", u shpreh Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat