Akuzat e Blushit për borxhin, Rama: Kukuvajkë!

Shqipëria

Akuzat e Blushit për borxhin, Rama: Kukuvajkë!

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 10:30

Kreu i qeverisë, Edi Rama u ka kthyer përgjigje indirekte deklaratave të bëra disa ditë më parë nga Ben Blushi. Rama ka theksuar se, nëse nuk do kishte gjetur 720 milionë borxhe të brendshme, do kishte bërë më shumë investime

Turi i kryeministrit Edi Rama “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë” është ndalur dje në qytetin e Beratit.

I shoqëruar nga ministrat Blendi Klosi dhe Mirela Kumbaro, kreu i qeverisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim me mbështetës të Partisë Socialiste, ku u ka shpjeguar nga afër reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, duke theksuar se ato do t’i japin rezultatet e tyre në një moment më të vonë.

“Është një bilanc për të forcuar argumentin se sot reformat kanë nevojë për një shtysë edhe më të fortë përpara dhe për ta bërë të mundur të gjithë projektin tonë të reformave në një kohë të shkurtër dhe për të fituar të gjithë atë kohë që kemi humbur me vite të tëra, duke i shmangur këto reforma; është e domosdoshme që të kemi një Parti Socialiste të modernizuar në përbërjen e strukturës sociale të organizatës”, – tha kreu i qeverisë në fjalën e tij.

Për këtë ai theksoi se është e domosdoshme që organizatat socialiste të jenë struktura që përfshijnë të gjithë komponentët e shoqërisë, përmes përfaqësuesve më të denjë të saj në çdo komunitet, në çdo lagje, në çdo fshat. Duke u ndalur te reformat, ai ka theksuar se në vetëm dy vitet e para të qeverisjes janë tejkaluar parashikimet e programit për biznesin e vogël.

“Biznesi i madh duhet të paguajë 15% dhe nuk do të rritet më tutje. Biznesi i vogël duhet të paguajë 50% më pak. E ja ku kemi ardhur sot, kemi zeruar taksën, tatimin e fitimit për 83 500 biznese të vogla që kishin xhiro nga 0-50 milionë lekë, ndërkohë që kjo fashë deri dje ishte nga 0-20 milionë lekë. Ndërkohë që për biznesin e vogël që ka një xhiro nga 50-80 milionë, e kemi realizuar zotimin elektoral, e kemi ulur taksën në 5%, pra, nga 10% në 5%, përgjysmim i plotë i taksës”, – u shpreh Rama në fjalën e tij.

Por sipas tij, mbajtja e këtij premtimi nga ana e qeverisë kërkon nga ana tjetër që biznesi i vogël të mund të shesë çdo mall të tijin me faturë tatimore.

“Do t’i kërkojmë që për çdo mall që ka në dyqan, të ketë faturën tatimore nga ai që e ka blerë, sepse kështu do të pengojmë të madhin që përmes të voglit të bëjë evazion. Do t’i kërkojmë natyrisht që të japë kupon për çdo mall që shet. Sigurisht, duke kërkuar këto, i kërkojmë që të jetë aleat i shtetit dhe i qeverisë në luftën kundër informalitetit”, – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë ka folur edhe për punësimin, duke theksuar se për ata që kanë dëshirë të punojnë, punë ka. Dhe për këtë ai iu referua 26 mijë vendeve të punës që kërkon biznesi në zyrat e Punës.

“Është fakt që në fund të vitit 2013, – nuk flas me statistika, por me librat e llogarive të shtetit, – në shtetin shqiptar ishin të regjistruar 471 248 vetë si të punësuar. Ndërkohë që në tetor të 2015, kemi 627 014 të punësuar. Janë vende të reja punë, janë edhe vende punë të formalizuara. Kur kemi folur për 300 000 vende pune, ne e kemi bërë shumë të qartë; Për ne, vende pune quhen vende pune që ekzistojnë në librat e llogarive të shtetit. T’u thuash, shkoni tek zyrat e Punës, janë 26 000 e disa qindra vende pune në dispozicion dhe sigurisht ka vende pune në dispozicion që kërkojnë specialistë të mirëfilltë me master, por shumica janë vende punë për punëtorë. Në qoftë se do punë, shko në punë, në qoftë se do një pension dhe një kompjuter që të lozësh me letra në zyrat e shtetit, kjo është histori tjetër”, – tha Rama.

Gjithashtu, ai ka siguruar se shumë shpejt, falë rezultateve të reformave do ketë edhe rritje të rrogave dhe pensioneve.

Në fund ai ka lënë dhe një përgjigje për akuzat që disa ditë më parë deputeti socialist ngriti lidhur me mënyrën sesi kanë qeverisur të majtët dhe rritjen e nivelit të borxhit.

Megjithëse nuk ka folur me emër të përveçëm, Rama i ka cilësuar kukuvajka ata që mbrojnë idenë se në dy vite qeveria nuk ka bërë asgjë dhe se ka rritur borxhin.

“Thonë ‘keni rritur borxhin’. Gjithfarëlloj kukuvajkash e teologësh të ideologjive ekonomike, të marra fund e të paprovuara asnjëherë në fakt, na thonë keni rritur borxhin. Si e kemi rritur borxhin? Ne e kemi legalizuar borxhin. Borxhi ishte aty dhe e mbanin fshehur. 720 milionë dollarë borxh, njerëzve nuk u tregonin”, – u shpreh Rama.

Më tej ai ka theksuar se, nëse qeveria e tij nuk do ishte përballur me këtë borxh të brendshëm, atëherë paratë e përdorura për të shlyer atë do t’i kishte përdorur për të bërë shumë investime.

“Po mos ta kishin pasur këtë barrë dhe këto 720 milionë dollarë t’i kishim marrë borxh për të bërë investime, ku do ishim sot, çfarë do kishim më shumë? Shumë më shumë do kishim bërë! Por nga ana tjetër zgjodhëm të bëjmë gjënë e duhur”, tha kreu i qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat