Gjykata kërkon informacion nga intelegjenca: Na informo për Denis Jangullin, dyshohet se është vrarë në Siri

Shqipëria

Gjykata kërkon informacion nga intelegjenca: Na informo për Denis Jangullin, dyshohet se është vrarë në Siri

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 08:25

Familja e Denis Jangullit, një prej besimtarëve myslimanë shqiptarë që iu bashkua ISIS në Siri dhe që mendohet të ketë humbur jetën gjatë luftimeve, vazhdon prej 10 muajsh betejën gjyqësore për të shpallur të zhdukur të afërmin e saj. Kërkesa është bërë nga motra e tij, S.Sh dhe prej përgjatë këtyre muajve Gjykata e Tiranës ka zhvilluar pesë seanca gjyqësore.

Në seancën e fundit, të zhvilluar në fillim të nëntorit 2015, gjykatësi Astrit Faqolli ka vendosur t’i drejtohet me shkresë Ministrisë së Brendshme për të verifikuar në sistemin TIMS lidhur me hyrje-daljet e shtetasit Denis Jangulli për periudhën nga viti 2012 e në vazhdim. Përgjatë kësaj periudhe Jangulli mendohet të ketë udhëtuar nga Rinasi drejt Turqisë dhe mandej ka hyrë në Siri, ky dyshohet të ketë luftuar për llogari të organizatave terroriste Al Nusra dhe ISIS. Për faktin se fati i shumë prej besimtarëve myslimanë që janë rekrutuar dhe dërguar në Siri për xhihad luftarak nuk dihet dhe Gjykata të paktën në rastin konkret, nuk mund të dalë në një vendim, pa qartësuar situatën, ka vendosur të kërkojë informacion për lëvizjet e Jangullit jashtë vendit, kohën kur ka udhëtuar dhe destinacionin.

Gjithashtu, gjykata i është drejtuar me një kërkesë zyrtare edhe Shërbimit Informativ të Shtetit nëse ka të dhëna lidhur me veprimtarinë e Denis Jangullit si jashtë dhe brenda territorit të Shqipërisë. Në fakt, Shërbimi Informativ i ka dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda një raport voluminoz, ku jepen të dhëna për besimtarët myslimanë që kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe kanë luftuar atje përkrah organizatave terroriste. Në raportin e SHISH përmendet edhe rasti i Denis Jangullit dhe fakti që ky i fundit dyshohet të ketë humbur jetën. Por, nuk ka të dhëna më të hollësishme. Ky raport, me shumë gjasë do t’i vihet në dispozicion Gjykatës, e cila më pas do të vendosë ose jo për të pranuar kërkesën e familjes së Denis Jangullit për shpalljen e tij të zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat