Zgjedhjet në FRPD, përballja mes grupimeve në Partinë Demokratike

Shqipëria

Zgjedhjet në FRPD, përballja mes grupimeve në Partinë Demokratike

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 16:47

Zgjedhjet për Kryetarin e FRPD vec dyshimeve të ngritura mbi pasaktësitë në listat e anëtarësisë së të rinjve demokratë, kanë nxjerrë në pah edhe përplasjet mes grupimeve në Partinë Demokratike. Gara për kreun e FRPD-së po zhvillohet mes Belind Këllicit dhe Ervin Salianjit, që janë edhe dy rivalët kryesorë për këtë post, por edhe Oriola Nebiajt, e cila pas rezultateve të deritanishme, duket se nuk ka ndonjë shans për tu zgjedhur në postin më të lartë drejtues të këtij forumi. Në shkallë vendi deri më tani kandidati Këllici kryeson garën me rreth 250 vota avantazh në krahasim me Salianjin, ndërsa duket se fati i kreut të FRPD do të përcaktohet nga konventa që do të mbahet në Tiranë.

Mbështetja për kandidatët

Nga konventat e zhvilluara deri më tani, ajo që bie në sy është fakti se ka një ndarje të strukturave drejtuese të PD-së në mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat. Megjithjëse në nisjen e garës, kreu demokrat Lulzim Basha nxorri një udhëzim ku kërkonte mos angazhimin e strukturave të PD-së në mbështetje të njërit apo tjetrit prej kandidatëve të përfshirë në garë, kjo nuk ka dhënë asnjë efekt në pozicionimet e deputetëve apo anëtarëve të forumeve drejtuese të PD-së në garën mes të rinjve demokratë. Kështu në krah të kandidaturës së Belind Këllicit janë pozicionuar kryesisht figura që kanë shfaqur kritika të vazhdueshme ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, apo kundërshtojnë mënyrën sesi ai ka drejtuar dhe po drejton Partinë Demokratike.

Ndonëse zyrtarisht Basha nuk ka shprehur ndonjë mbështetje publike për ndonjë nga kandidatët e përfshirë në garë, mësohet se ai dhe të rinjtë e kuoptuar prej tij në forumet drejtuese të PD-së janë në mbështetje të kandidatit Salianji. Kjo ka bërë që gara për kreun e FRPD indirect të shndërrohet në një përballje mes dy grupimeve në Partinë Demokratike, mbështetësve të kreut demokrat Lulzim Basha dhe kundërshtarëve apo kritikëve të tij brenda PD-së.

Burimet theksojnë se ndërhyrjet e herëpashershme në proces të Sekretarëve në PD, anëtarëve të Kryesisë apo deputetëve, në favor të njërit apo tjetrit kandidat, kanë krijuar jo pak problematika. Pozicionimet e disa prej figurave të kësaj partie duket se kanë zhvlerësuar platformat me të cilët kandidatët konkurojnë mes tyre, kjo pasi të rinjtë që votojnë për një nga emrat e mbetur në garë, pozicionohen pro apo kundër kandidatëve, në varësi të ndërhyrjeve që po i bëhen procesit.

Burime nga PD theksojnë se ata që konsiderohen ‘garda e vjetër’ apo ‘senatorët’ se selisë blu kryesisht janë në mbështetje të kandidaturës së Belind Këllicit, i cili drejton Departamentin e ish-të Përndjekurve Politikë. Por jo më pak janë të figurat e reja që i janë bashkuar PD-së dhe që konsiderohen si mbështetës të Lulzim Bashës, të cilët janë angazhuar në mbështetje të Salianjit.

Përballja ka të bëjë me influencën që secili nga grupimet në PD ka në strukturat e partisë dhe për rrjedhojë edhe në anëtarësinë e saj. Por duket se influencës së senatorëve në strukturat bazë të PD-së, grupimi tjetër i është përgjigjur me shtimin e anëtarësisë me të drejtë vote, cka ka krijuar dyshimet mbi shtimin artificial të numrit të anëtarëve vetëm për efekt të votës sesa për ofrimin e të rinjve si pjesë e natyrshme e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat