Paradoksi në Vlorë, refuzohen 500 vende të lira pune

Shqipëria

Paradoksi në Vlorë, refuzohen 500 vende të lira pune

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:42

Aktualisht, tregu i punës në Vlorë, ofron 500 vende të lira pune, por ato nuk plotësohen për shkaqe dhe faktorë të ndryshëm, duke përfshirë në një masë të madhe mungesën e dëshirës, ose refuzimin e atyre që janë regjistruar në sistemin “online” të Zyrës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si punëkërkues të papunë. Fasonë, “Call center”, subjekte shërbimi, prodhime dural, prodhime druri, shërbime turistike, madje edhe farmacistë dhe inxhinierë, janë sektorët dhe profesionet që kërkohen aktualisht. Përballë këtij fakti, drejtoresha e Zyrës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Marjana Cani, thotë se, po koordinohet për të përcaktuar kapacitetet njerëzore sipas profesioneve dhe arsimit që kërkohet, por, shpesh punonjëset e institucionit që drejton, përballen me refuzimin e qytetarëve të papunë. Cani sqaron se, mjaft prej atyre që janë regjistruar në sistemin “online” të institucionit, e bëjnë këtë thjesht për të përfituar shërbime, si libreza shëndeti e bursa studimi për fëmijët, por kur vjen puna për të shkuar në vendet që u ofrohen, nuk pranojnë.

Zonja Cani, cilët janë sektorët që kërkojnë më shumë punonjës?

Pjesën më të madhe, sigurisht që e zënë “call center”, si dhe shërbimet turistike, por ka edhe vende pune të lira pranë marketeve, si shitës, arkëtarë, ashtu sikundër kërkohen edhe mekanikë, elektricistë, madje edhe farmacistë e inxhinierë, apo ekonomistë.

Pra, në total, janë 500 oferta për vende pune, ose më saktë 500 vende të lira?

Po. Janë deri tani kaq vende të lira pune. Në fakt, ne tashmë po vazhdojmë procedurat, sepse duhet ta pranojmë se, pas aksionit kundër informalitetit kanë dalë shumë subjekte, të cilat nuk figuronin më parë në bazën e të dhënave. Prandaj, edhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatim Taksave kemi marrë listën e tyre dhe po shkojmë pranë çdo subjekti duke e bërë pjesë të sistemit tonë. Përmes kësaj, ne po marrim edhe vendet e lira të punës. Pra, ky është një proces dinamik. Nëse sot themi se, kemi 500 vende të lira, nesër kjo shifër mund të rritet.

Sa jeni përgjigjur ju, për t’u afruar me listat tuaja, me qytetarët që figurojnë në sistemin tuaj si të papunë?

Ne kemi sistemin tonë “online”, ku figurojnë punëkërkuesit e papunë, sipas profilit të tyre, që nënkupton nivelin arsimor, profesionin, si edhe preferencat për punë. Në momentin që marrim, ose njoftohemi për vende të lira pune, futemi në sistem dhe listojmë të gjithë ata që përputhen në profilin e tyre, ndaj ofertës që na ka ardhur. Dhe fillojmë kontaktet me telefon, pra funksionojmë si një “call center”. Por, ajo që, për ne është shqetësuese, lidhet me refuzimin e një pjese të madhe të atyre që kontaktojmë.

Refuzojnë? Mund ta sqaroni këtë moment?

Po, po. Refuzojnë të shkojnë, ose të pranojnë vendin e punës. Dhe nuk janë të pakta këto raste.

Por, pse ndodh kjo?

Refuzojnë për arsye të ndryshme, të tilla si largësia e vendit të punës, ose edhe mungesa e interesit. Kjo tregon se, një pjesë tyre vijnë te ne thjesht për të përfituar shërbime administrative, si librezën e shëndetit, për përfitim bursash etj. Një pjesë e madhe e tyre, vijnë thjesht për të marrë shërbime dhe deklarohen si punëkërkues. Por, ka sigurisht edhe një pjesë që nuk kanë një profesion dhe ne i orientojmë për të ndjekur kurse pranë Qendrës së Formimit Profesional. Ato janë kurse falas. Vetëm për këtë vit janë rreth 1500 persona, të cilët janë orientuar për në QFP. Në fakt, ne jo vetëm orientojmë, por këmbejmë informacion të vazhdueshëm me QFP, në përputhje edhe me kërkesat që marrim nga tregu. Kështu edhe bashkërendojmë prioritetet. Në çfarë sektorësh duhet ngulmuar me profilin e profesioneve dhe ku duhet të pakësojmë, apo të eliminojmë. Për shembull, janë hapur kurset për kamerierë, për guida turistike, thjesht duke parë se turizmi po zgjerohet si sektor dhe përputhet edhe me prioritetet e qeverisë.

Sa është sot numri zyrtar i të papunëve në Vlorë?

Është rreth 13000 persona. Në fakt, unë duhet të sqaroj se, më parë se të futej sistemi “online” ka qenë një procedurë e tillë për personat që vërtetoheshin se nuk mund të integroheshin, për shkak të nivelit të ulët arsimor, pa profesion, me moshë më shumë se 50 vjeç. Këta qytetarë të kësaj kategorie, nuk futeshin në skemën e papunësisë, por thjesht përfitonin shërbimet. Ndërsa, tashmë, ata automatikisht bëhen pjesë e sistemit. Dhe, në këtë grup përfshihen rreth 7000 persona.

Por, përballë rasteve që përmendëm më sipër si do të veprohet?

Në fakt, ligji përkatës po ndryshon dhe pritet të hyjë në procedurat e miratimit. Por, ne, ndërkohë, mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave me numër 70, po operojmë që, në momentin që i ofrojmë punëkërkuesit një vend që i përshtatet aftësive të tij profesionale dhe të formimit dhe ai e refuzon, atëherë shkarkohet automatikisht nga sistemi, nuk është më “punëkërkues” dhe humbet të drejtën të regjistrohet në Zyrën e Punës. Dhe, këtë gjë, po e bëjmë aktualisht. Por, krahas kësaj, një pjesë e madhe e punëkërkuesve, pra më shumë se 50 për qind e listës që kemi ne, janë pa një profesion, por ata kanë edhe një vështirësi tjetër që lidhet me moshën dhe e kanë të vështirë të integrohen në tregun e punës. Dhe, në si të vetmen mundësi për ta shohim punët publike për ta.

Trajnimet para kontratës, ja profilet dhe kërkesat

Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional, Klajdi Myzaferaj, bën një pasqyrë të punës që po bëhet për formimin profesional të qytetarëve, që kërkojnë të përfshihen në tregun e punës. Ai tregon profilet, ku hasen më shumë kërkesa dhe mënyrën se si orientohet qendra për të ofruar shërbimet dhe njohuritë e nevojshme, që i çojnë punëkërkuesit drejt profilit që u përshtatet. Kohët e fundit, tregu po orientohet drejt profesioneve të tilla, si hidraulik, saldator e elektricist, duke lënë në hije ato që dikur dominonin në sektorin e ndërtimit.

Myzaferaj, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ju zbatoni edhe politikat tuaja për formimin profesional të atyre që kërkojnë të punësohen. Çfarë po bëhet aktualisht, duke u nisur edhe nga fakti që përmendëm më sipër?

Është vërtet një fakt që duket paksa paradoksal. Ndërkohë, ne po e shtrijmë aktivitetin tonë, duke ofruar mundësi formimi profesional për qytetarët që kërkojnë të punësohen. Kurset që ofrohen nga Qendra e Formimit Profesional, janë përshtatur me tregun e punës. Këtu dua të theksoj se, ka një handikap për disa kërkesa për kurse, siç janë ato të parukerisë ose të estetikës, për të cilat tregu nuk ofron mundësi punësimi, por që mund të bëhen efektive përmes vetëpunësimit. Realisht, këtu duhet të bëhet një ndërhyrje që të mos orientohet kërkesa drejt këtyre profileve, por ndaj atyre kurseve për të cilat ka nevojë tregu i punës, për ato vende të cilat janë shpallur tek zyra e Punës. Por, kjo ka të bëjë edhe me kulturën e qytetarëve, të cilët shpesh kërkojnë që ta kenë atë si një “zanat” të ofruar privatisht dhe jo për të siguruar një vend punësimi në vazhdim.

Në çfarë profilesh keni më shumë kërkesa?

Ndërkohë, kemi kërkesa të konsiderueshme, në profile të tilla si kuzhina, për shkak se Vlora është një qytet turistik dhe ka të zhvilluar sektorin, ose rrjetin e restoranteve dhe të kulinarisë. Për këtë arsye, në kemi rritur kapacitetet e kurseve duke i shtrirë ato në kohë, 12 orë në ditë. Por, kemi kërkesa edhe për profesionet hidraulik, elektricist, që funksionojnë në tregun e punës. Së fundi, kemi hapur edhe kursin e saldimit, që është një profesion që po zhvillohet shumë për shkak edhe të projektit të gazsjellësit TAP, që pritet të kërkojë mjaft forca pune të kualifikuara. Ky kurs është çelur prej një muaji, por kërkesat për të kanë ardhur në rritje. Është, sigurisht një tregues pozitiv, që reflekton edhe tendencat e kërkesave në tregun e punës. Duhet të sqaroj se, për shkak të dimensioneve të zhvillimit, punësimi deri vonë është orientuar sipas kërkesave të sektorit të ndërtimit, pra, murator, hidraulik, elektrik etj. Pra, qëllimi ynë është të ofrojmë ato kurse për profesione që ka nevojë tregu i punës. Pra, aktualisht po ngulojmë shumë te turizmi, te kuzhinieri, kamerieri e kuzhina. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të hapim edhe kursin e recepsionistit të hotelit, duke ofruar mundësinë që kursantët të zhvillojnë praktikën pranë subjekteve ose operatorëve turistikë. Këtu është favorizues edhe sistemi “Dual”, një mundësi që ka krijuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që kursantët të zhvillojnë praktikën pranë bizneseve apo subjekteve private, të cilat kanë bazën reale për ta ofruar këtë mundësi.

Sa është numri i atyre që janë formuar profesionalisht te ju, pra që kanë ndjekur kurset e formimit profesional pranë qendrës që drejtoni?

Gjatë këtyre dy vjetëve janë formuar te ne, rreth 1800 persona, në kurse profesionale, apo edhe në mësimin e gjuhëve të huaja, të kompjuterit etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat