Refuzove punën, të hiqet ndihma

Shqipëria

Refuzove punën, të hiqet ndihma

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:39

Aktualisht në vendin tonë janë 152 mijë punëkërkues të regjistruar si të tillë në zyrat e punësimit, nga të cilët 5 për qind janë përfitues të pagesës së papunësisë dhe 43 për qind marrin ndihmë ekonomike. Pas hapjes së zyrave të punës dhe strategjisë për të ngritur një skemë përfitimi për punësimin e njerëzve, rezulton se pjesa më e madhe e të regjistruarve, e kanë shënuar emrin aty për të përfituar ndihmë ekonomike dhe jo të punojnë. Përballë një situate, të tillë por edhe problemeve që janë hasur me identifikimin e individëve të papunë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe ajo e Financave kanë hartuar një projektligj me rregulla strikte për të papunët, të cilëve u intereson regjistrimi thjesht për të përfituar nga skema të ndryshme, siç është ndihma ekonomike apo edhe karta e shëndetit. “Për të përmirësuar situatën dhe për të bërë të mundur identifikimin real të punëkërkuesve, të cilët janë realisht të interesuar për t’u punësuar, propozohet ky projektligj. Projektligji “Për punëkërkuesit” vjen, gjithashtu, si pjesë e nismës së qeverisë kundër informalitet. Ky projektligj do të përbëjë një mekanizëm efektiv për të nxjerrë nga skema punëkërkuesit që nuk duan të punojnë duke iu ofruar atyre mundësi për t’u kualifikuar profesionalisht për t’i bërë ata të aftë për të qenë pjesë aktive e tregut të punës”, argumenton relacioni.

Regjistrimi

Neni i 4 i projektligjit përshkruan mënyrën se si do të futen në skemën e regjistrimit punëkërkuesit dhe rregullat për verifikimin e tyre, nëse abuzojnë apo jo. Për çdo person, i cili do të paraqitet në zyrën e punësimit për të kërkuar punë, zyra e punësimit do të bëjë verifikimet përkatëse në organet tatimore, nëse personi rezulton i punësuar apo i vetëpunësuar, dhe brenda një muaji kalenderik, nga data e paraqitjes, vendos për dhënien apo jo të statusit të punëkërkuesit të papunë. Punëkërkuesi i regjistruar duhet të paraqitet çdo muaj në zyrën e punësimit, apo sa herë t’i kërkohet një gjë e tillë nga kjo zyrë. Punëkërkuesve, të cilët paraqiten në zyrën e punësimit për regjistrim, pas intervistës dhe vlerësimit të karakteristikave profesionale dhe individuale të tyre, bazuar në gjendjen e vendeve të lira që disponohen, u ofrohen oferta pune të përshtatshme. Refuzimi i ofertës së punës së përshtatshme, qoftë edhe një herë, çon në refuzimin e statusit të punëkërkuesit dhe mospajisjen e tij me vërtetimin përkatës. Në pikën 4, të nenit, thuhet se punëkërkuesi është i detyruar të deklarojë, në zyrën përkatëse të punësimit, çdo muaj, përpjekjet individuale dhe aplikimet për punë, që ai ka bërë, për të gjetur një punë në tregun e punës. Zyra e punësimit duhet të bëjë verifikimet përkatëse për vërtetësinë e informacionit të deklaruar nga punëkërkuesi. Në rast mospërputhjeje të informacionit, të deklaruar nga punëkërkuesi, dhe verifikimit, zyra përkatëse e punësimit e thërret punëkërkuesin dhe e riinterviston. Zyra përkatëse e punësimit, pas intervistës, merr vendimin për heqjen ose jo të statusit të punëkërkuesit. Më tej, përcaktohet rasti i refuzimin të statusit të punëkërkuesit dhe mospajisja e tij me vërtetimin përkatës, nëse ai, pas paraqitjes në zyrën e punësimit për regjistrim, pas intervistimit dhe vlerësimit të karakteristikave profesionale dhe individuale, bazuar në gjendjen e vendeve të lira që disponohen, refuzon, qoftë edhe një herë, ofertën e punës së përshtatshme për të. Refuzimi i vendeve të punës dhe i programeve të punësimit të ofruara konfirmohet nga punëkërkuesi, me nënshkrimin e tij, ndërsa e drejta për riaplikim për statusin e punëkërkuesit, të gjithë personave që nënshkruajnë ose refuzojnë nënshkrimin e deklaratës për mospranimin e vendit të lirë të punës, u lind pas një periudhe kohore 3-mujore.

Kur refuzohet

Heqja ose refuzimi i statusit të punëkërkuesit kryhet nëse oferta e punës apo programet e tjera të përshtatshme, që ofrohen, kundërshtohen, refuzohen apo nuk pranohen, si gjatë intervistimit të parë, ashtu edhe në takimet e radhës, në vijimësi, kur punëkërkuesi: a) refuzon një vend pune të përshtatshëm, qoftë edhe një herë të vetme; b) nuk kërkon më punë dhe e deklaron një gjë të tillë; c) refuzon pjesëmarrjen në programet e nxitjes së punësimit apo programe të tjera punësimi; ç) refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional falas, i cili vlerësohet se ndihmon integrimin e tij në tregun e punës; d) ndërmjetësohet në punë; dh) ka gjetur vetë punë; e) nuk paraqitet në zyrën e punësimit një herë në muaj apo sa herë i kërkohet një gjë e tillë; ë) konstatohet se ka bërë një deklaratë false dhe kjo konsiderohet vepër penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat