Luan Rama e Petrit Vasili homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve/ “Pafytyrësi politike dhe sjellje hipokrite”

Shqipëria

Luan Rama e Petrit Vasili homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve/ “Pafytyrësi politike dhe sjellje hipokrite”

Nga: Gjergj Koja Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 12:30

Zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama morën pjesë në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë me rastin e 29 nëntorit, 71 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Në ceremoninë zyrtare ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e veteranë, Vasili dhe Rama vendosën kurora me lule në Monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të kujtimit të dëshmorëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Në një prononcim për mediat, deputeti Luan Rama tha se nderimi për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në thelb është nderim për të gjithë ata djem dhe vajza që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut.
“Nderim për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, nderim për 29 nëntorin, që në thelb është nderim për të gjithë ata djem dhe vajza që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut, nderim për të gjithë ata që bënë Luftën e madhe Antifashiste Nacional Çlirimtare, është detyrimi i brezave është mirënjohja jonë ndaj sakrificës së tyre por nga ana tjetër është ndërkaq edhe betimi ynë për të patur gjithmonë ëndrrën e tyre, sakrificën e tyre shembullin e tyre busull orientimi për të bërë më të mirën për Shqipërinë anti-fashiste, për Shqipërinë europiane”, tha Luan Rama.

I pyetur se si e shikon faktin që politika shqiptare vazhdon të jetë e përçarë në këtë ditë, me njërën palë që e feston më 28 nëntor ditën e çlirimit, Luan Rama tha se kjo është shenja e pafytyrësisë politike, që në ngjarje të tilla nxjerrin lakuriq në sytë e opinionit publik ata që e bëjnë homazhin për hipokrizi.

“Është shenja më tipike e pafytyrësisë politike dhe e sjelljes hipokrite që në ngjarje të tilla natyrisht nuk bëjnë asgjë tjetër por nxjerrin lakuriq në sytë e popullit dhe në sytë e opinionit publik ata që vijnë këtu dhe e bëjnë homazhin për hipokrizi. Janë ata që i kanë rivrarë dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e qëndrimin e tyre por nga ana tjetër kjo nuk ka të bëjë asgjë sepse popullit, qytetarët, Shqipëria e ka vlerë të veten këtë luftë e ka medalje të krenarisë së saj dhe ne do ta kemi gjithmonë kështu”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat