Milo: Socialistët dhe Ben Blushi që po bën ‘mea culpa’, e ngritën dorën verbërisht në 2008-ën

Shqipëria

Milo: Socialistët dhe Ben Blushi që po bën ‘mea culpa’, e ngritën dorën verbërisht në 2008-ën

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 09:56

Diskutimi mbi projektbuxhetin e vitit 2016, por dhe reforma në drejtësi, ashtu si edhe procesi i dekriminalizmit janë sfidat e radhës për politikën shqiptare. Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale në një intervistë shpreh kritikat e tij për politikën shqiptare. Milo tregohet skeptik për realizimin e reformave nga politika, ndërsa thekson se ndërhyrja e ndërkombëtarëve do të sjellë zgjidhjen. Për Milon, kreu i PDsë Lulzim Basha cilësohet thjesht formal para babait frymëzues në PD, Sali Berisha. Aleati i vjetër i së majtës nuk kursen kritikat as ndaj qeverisë Rama- Meta, duke e cilësuar si të konsumuar para kohe, ndaj kërkon një reagim të saj sa nuk është vonë.


Zoti Milo çështje të aktualitetit në politikën shqiptare tashmë janë bërë reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit. Ju si i gjykoni këto reforma?


Formalisht reformat për dekriminalizimin dhe ajo për drejtësinë thuhet se po bëhen në rrugën normale, nga institucionet përgjegjëse shqiptare, por në realitet ato po i bëjnë, po i nxisin dhe po i drejtojnë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, në radhë të parë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Po qe për politikën shqiptare jo këtë vit, jo mot, por as edhe për 10 vite të tjera ato nuk do të bëheshin dhe e them me përgjegjësi, jo vetëm nga përvoja negative e këtyre 25 viteve, por edhe nga sa gjykoj sot për vullnetin politik shqiptar. Nuk duhet shumë mend, as edhe përvojë politike, për të kuptuar se çfarë klase politike ka Shqipëria sot dhe sa vullnet dhe dëshirë ka që të ndërtojë institucione demokratike, shtet ligjor dhe realisht të mendojë për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.


Mjafton të shohësh parlamentin shqiptar, përbërjen e tij, estradën e përjavshme të së enjtes në këtë institucion për të kuptuar cilësinë dhe moralin e politikës shqiptare. Pa pikë droje dhe me shumë përgjegjësi po e them se ky pseudoparlament është më i keqi që ka pasur Shqipëria në historinë e shtetit të pavarur nga 1912 dhe deri më sot. Jo vetëm për nga arsimimi, jo vetëm për nga kultura, por edhe nga diferenca e skajshme në cilësitë bazë të edukatës dhe të moralit njerëzor. Prandaj nga një parlament i tillë, i kriminalizuar, nuk mund të presësh ligje të shëndetshme, veç pseudoreforma, sepse aty ka shumë njerëz të interesuar që të fshihen prapa korracës parlamen- tare për të fshehur krimet, abuzimet dhe aferat korruptive që kanë bërë për vite të tëra.


Këto reforma, për të cilat sot kanë përmbytur opinionin publik shqiptar nuk do të bëheshin në rast se nuk do të kishte një angazhim kaq serioz nga faktorët e përmendur ndërkombëtarë. Reformat në Shqipëri janë keqpërdorur sa herë që qeverive që vijnë në pushtet u duhet t’u zënë sytë shqiptarëve për të vazhduar politikat e vjetra të keqqeverisjes, të abuzimeve dhe të politikave korruptive për të grabitur në mënyrë sistematike pasuritë e shqiptarëve, investimet e qëmotshme të brezave dhe për ta lënë Shqipërinë siç është katandisur sot e kësaj dite në një vend që vazhdon të jetojë në gropën e thellë të skamjes, të padrejtësive, të krimit, të amoralitetit dhe të borxheve që po shënojnë rritje galoponte.


Në kuadër të dekriminalizimit pak ditë më parë u duk se u arrit një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë që gjatë seancës opozita më në krye zotin Berisha iu rikthye sërish testit të drogës. Si e gjykoni këtë dyzim të opozitës?


Testi i drogës që kërkon Partia Demokratike dhe në mënyrë të veçantë babai shpirtëror i saj është pjesë e komedisë parlamentare të përjavshme. Është një tregues i mungesës së plotë të seriozitetit dhe i dyfytyrësisë të politikës së PD-së që, nga njëra anë në takimet me përfaqësuesit e vendeve partnere heq dorë nga ky testim, nga ana tjetër i rikthehet çdo të enjte me qëllim që të ketë një objekt absurd debati siç janë shumë tema që kjo parti ngre çdo të enjte në parlament. Mënyra sesi PD-ja po e bën opozitën është varfëri programore, një mungesë vizioni për të parë përtej zhurmës së ditës, është një mangësi në funksionimin e strukturave të kësaj partie që akoma sot e kësaj dite nuk po u jep shqiptarëve arsye që të besojnë se pas humbjes së madhe të qershorit 2013 të ketë nxjerrë mësimet e duhura për të bërë një opozitë shpresëdhënëse dhe të shëndetshme.


PD-ja dhe kryetari i saj formal ende nuk arrijnë të kuptojnë se këtej e tutje në Shqipëri askush nuk mund të gënjehet me premtime boshe, të tejskajshme që në një vend të varfër si ne janë të destinuar të dështojnë dhe të kthehen në një objekt humori. Prandaj mendoj që procesi i dekriminalizimit dhe miratimi i pritshëm i këtij ligji në kuvendin e Shqipërisë, nuk duhet të pritet nga ky parlament dhe as tu faturohet si meritë parlamentarëve shqiptarë, po e them përsëri që butaforia, demagogjia parlamentare janë thjesht për konsum politik, ndërkohë që ky proces do të nxitet dhe do të shtyhet deri në fund nga SHBA-të dhe BE-ja.


Ju e quajtët kreun aktual të PDsë thjesht formal. Edhe nga vetë pjesëtarë të opozitës janë shprehur të zhgënjyer nga zoti Basha. A do të arrijë zoti Basha të bëhet lider i PD-së, për sa kohë Sali Berisha është aktiv në këtë parti?


Për fat të keq opozita shqiptare sot nuk ka një lidership të konsoliduar, ka një bashkëkryetar tjetër faktik që dominon ende PD-në dhe struktura drejtuese të saj dhe ky është Sali Berisha. Kryetari aktual formal, Lulzim Basha e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur që ta drejtojë partinë realisht, që të krijojë një profil të tijin vetiak, origjinal për dy arsye. E para se ai është një produkt artificial dhe i katapultuar si drejtues i PD-së nga kryetari faktik dhe historik i saj. E dyta se Lulzim Basha megjithë meritat që mund të ketë në PD, në jetën e tij politike të viteve të fundit, të cilat nuk i mohoj, nuk erdhi në krye të partisë përmes një procesi normal, përmes një investimi të njohur që do të gjente një mbështetje të gjerë në parti. Ai erdhi pa një përvojë të madhe partiake, pa kaluar ato shkallë të karrierës politikë brenda PD-së dhe pa pasur miratimin e një numri “senatorësh” të PD-së për të qenë ai në krye të punëve.


Për rrjedhojë, sot në gjirin e kësaj partie edhe një njeri i jashtëm e ndjen amullinë, artificialitetin e marrëdhënieve në nivel vertikal që ekziston brenda saj dhe nëse ende aty nuk ka një çarje, kjo më tepër është meritë e Sali Berishës që i mban të bashkuar dhe se nuk ka një moment të dytë që do të provonte për herë të fundit aftësinë ose jo të Bashës si kryetar. Nëse një betejë e ardhshme politiko-elektorale do të vinte më shpejt se ajo e vitit 2017 dhe PD-ja do ta humbiste atë, me siguri që qenia e Bashës në krye të PD-së do të ishte një pikëpyetje shumë e madhe.


Jemi pothuajse 2 vite e gjysmë nga qeverisja e majtë, që të bësh një analizë të saj kërkon shumë kohë, por në vija të përgjithshme si e shihni këtë qeveri?


Që t’i bësh një skaner të plotë qeverisjes së mazhorancës aktuale nevojitet patjetër që të bëhen analiza të detajuara dhe në mënyrë të veçantë ballafaqime midis programit jo elektoral, por atij qeverisës që paraqiti Partia Socialiste në shtator të vitit 2013 në Kuvend dhe arritjeve apo mosarritjeve të saj tani në fund të vitit 2015. Nuk mund t’i marrësh zë për zë të gjithë treguesit, por nëse do të bëhej një vlerësim i përgjithshëm i veprimtarisë së kësaj qeveri deri tani do të thoja me bindje se imazhi i saj është konsumuar shumë shpejt, më shpejt se i çdo qeverie tjetër në këto 25 vite. Kjo ka ndodhur sepse u bë një program elektoral dhe qeverisës i fryrë, jo realist, me premtime të mëdha që nuk mund të përballoheshin dhe që dëshmoi për fat të keq se PS-ja kishte harruar realitetin shqiptar.


Përplasja e premtimeve të bëra me zhvillimet zhgënjyese dhe vështirësitë që dolën në procesin e qeverisjes ka krijuar një atmosferë të thellë mosbesimi, zhgënjimi, jo vetëm në tërësi në popull për aftësitë e kësaj qeverie, por ka krijuar ndjenja të tilla edhe brenda elektoratit socialist dhe të majtë në përgjithësi. Një arsye tjetër që ka një disbalancim të tillë midis programit dhe realitetit aktual është se qeverisja e mëparshme konsumoi në mënyrë më abuzive të mundshme të gjitha burimet financiare të vendit dhe i la trashëgim qeverisë aktuale një gropë të zezë. Ajo situatë ka bërë që kjo qeveri në vend që ta merrte vendin në një gjendje normale dhe të mendonte për të investuar në reformat që ajo kishte paraqitur, ju desh të harxhonte një kohë shumë të madhe, por edhe vlera të mëdha financiare për të mbushur këtë gropën e zezë që gjeti përpara.


Sot nuk ka shqiptar që të jetë optimist për këtë qeveri, sepse çdo ditë, pavarësisht nga sa deklarohet dhe “shitet” në media, gjithsecili e pulson situatën. Fakti që shqiptarët në një shumicë kaq të madhe mendojnë që të braktisin Shqipërinë të sjell ndër mend fillimin e viteve ’90 dhe vitin dramatik 1997. Nëse shqiptarët do të ndjenin përmes një qeverisje të përgjegjshme, të përkushtuar se ka një perspektivë zhvillimi, do të qëndronin, nuk do të iknin siç po ikin në Gjermani apo duke aplikuar gjithnjë e më shumë për lotarinë amerikane. Shqipërisë, një pjesë e mirë e trurit, i ka ikur për 25 vjet, ndërkohë që intensiteti i ikjes është edhe më i lartë sepse po ikën rinia, e cila nuk sheh dritë. Qeveria nuk duhet të mbulojë me gjethe fiku realitetin dhe për mendimin tim duhet të bëjë në radhë të parë reformimin e saj para se të jetë vonë dhe të rrokulliset nën efektin e një pakënaqësie që nëse nuk kurohet, mund të kthehet në një ortek social.


Duhen impulse të reja?


Këtu nuk është fjala për të përdorur një gjuhë të sofistikuar, të kamufluar për të dhënë alarmin e ndryshimeve në qeveri dhe në qeverisje, nuk është fjala thjesht për të ndërruar kuajt e karrocës. Për të zëvendësuar disa emra ministrash me disa emra të tjerë. Duhet jo një centralizim i superkërkuar, por duhet një ekip që ka shpatulla të mbajë përgjegjësi, që ka aftësi të zgjidhë probleme dhe jo t’i komplikojë ato. Ajo çka unë vështroj është se qeverisja nuk ekziston si një institucion kolegjial, qoftë për faktin se përbëhet nga dy segmente të cilat formalisht janë pjesë e një qeverie dhe në fakt veprojnë në kahje të kundërta, qoftë nga fakti që e shohin veten në pushtet si kalimtarë dhe që përpiqen të marrin ç’të munden në këtë pjesë të udhës së tyre si forca politike. Mendoj që sa më tepër që të zgjatet ky realitet i ngjyrosur me bojërat e optimizmit fals, aq më e vështirë dhe e pamundur do të jetë nesër për të ndalur rrjedhojat negative të një qeverisje që mund të kthehet në një bumerang.


Gjatë gjithë kësaj periudhe a mund të flasim për diçka me nota pozitive për këtë qeveri apo do ta konsiderojmë ashti siç thatë edhe ju, kalimtare?


Kjo qeveri u përpoq të japë mesazhin se është e angazhuar të krijojë një shtet ligjor dhe në 2, 3 drejtime dha shembuj konkretë që ka dëshirë të vendosë rregull dhe të ndërtojë raporte demokracie midis shtetit dhe qytetarëve. Vlen për tu përmendur si pozitive përpjekja për të stabilizuar sistemin e energjisë elektrike, për t’u imponuar qytetarëve shqiptarë një detyrim që ekziston prej kohësh që kur është krijuar shteti, që të mund të shlyejnë gjithnjë detyrimet e tyre. Këtu qeveria ka bërë një punë të mirë.


Ashtu si edhe luftimi i informalitetit skandaloz që ka ekzistuar dhe ekziston, apo edhe për të kryer një reformë në administratën shtetërore për të krijuar përfundimisht një trupë nëpunësish që të mendojnë për punët e shtetit dhe jo për xhepat e partive politike apo për xhepat e tyre. Por ajo çka kjo qeveri bën në përpjekje për të zbatuar këto reforma është se nuk ka gjetur metodat e duhura dhe taktin e duhur për t’i zbatuar ato. Ka preferuar agresivitetin në zbatimin e tyre sesa gradualitetin, ka zgjedhur reklamën sesa thelbin e reformës dhe për më tepër ka stisur një vetëkënaqësi që e shpërndan në opinionin publik si vetëmasturbim në një kohë kur ka një opinion jo vetëm opozitar, por edhe brenda vetë PS-së që është në kundërshtim të plotë me këtë vizatim shumëngjyrësh që i bëhet realitetit shqiptar.


“Pse nuk jam bërë pjesë e tryezës së partive të vogla”


Para pak kohësh partitë e vogla shqiptare organizuan një tryezë në kuadër të zgjedhjeve tëvitit 2017, por u vu re mungesa e PDS-së. Cilat ishin arsyet që ju nuk ju bashkuat kësaj tryeze?


Unë isha ftuar në atë takim, ashtu si edhe në një takim tjetër që do të mbahet gjatë ditëve në vazhdim, por nuk morra pjesë për shkak të një arsye personale. Megjithatë mund të them që nuk jam i “ngrohtë” dhe optimist për nga mënyra sesi po bëhen përpjekje për të sensibilizuar për rolin e partive të ashtu quajtura të vogla në jetën politike shqiptare.


Për cilat arsye?


Kam grumbulluar një përvojë negative nga përpjekjet e kësaj natyre. Në mënyrë të veçantë jam zhgënjyer para tri vitesh kur PDS-ja dhe PR-ja ndërmorëm një iniciativë të tillë dhe për herë të parë ulëm në një tavolinë të rrumbullakët 26 parti politike parlamentare dhe jo parlamentare mes të cilave edhe PD-në që ishte në pushtet dhe PS-në në opozitë. Arritëm të nënshkruajmë një dokument në të cilin të gjitha binin dakord për domosdoshmërinë e ndryshimeve në kodin zgjedhor në sensin që të kishte më tepër frymëmarrje dhe më tepër respekt për vullnetin e lirë të shqiptarëve, për administrimin e votës së tyre. Por siç dihet, ndonëse kryetarët e 2 partive të mëdha vendosën firmën e tyre, pa pikë përgjegjësie dhe në mënyrë më mashtruese urdhëruan instrumentet e tyre që të mos e vinin në rendin e ditës të komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.


Prandaj e drejta e partive që po ngrenë zërin sot, kam frikë se ashtu siç nuk është marrë në konsideratë, përsëri do të vijojë të mos merret sepse lexojmë dhe dëgjojmë që kanë projekte të tjera edhe më të këqija se ato të vitit 2008, kur ndërhynë në mënyrë të befasishme në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor dhe bënë ato përçudni që po i vuan Shqipëria sot e kësaj dite. Kam frikë se po përpiqen në klandestinitet, pasi punët e zeza bëhen ose natën ose fshehurazi, që ta thellojnë këtë proces për të zhdukur edhe ato pak hapësira demokratike që kanë mbetur ende në legjislacionin shqiptar për sa u përket garave të ndershme elektorale. Veç do të kenë një problem që ose do ta zgjidhin me kompromis me LSI-në, larg syve të opinionit publik, ose do të përplasen me LSI-në, në rast se nuk do të gjejnë konsensusin e saj, ose nuk do të arrijnë kompromisin e radhës me të.


Përfitoj nga rasti tu them edhe disa socialistëve duke iu adresuar miqësisht edhe Ben Blushit, që është duke bërë mea culpa-n e tij për përgjegjësitë që ka pasur edhe ai në kohën kur janë bërë këto shtrembërime të proceseve demokratike, përfshirë edhe kodin zgjedhor. Atëhere kur duhet të ngrinin zërin në 2008, nuk e ngritjen, por ngritën dorën në mënyrë të verbër për të bërë ato gjëra, rrjedhojë e të cilave tani janë tepër të dukshme dhe që ata i ndjenë në kurrizin e tyre. Nuk është vonë për të reflektuar, pro nevojitet që të bëhen ndryshimet e duhura, jo përmes mbledhjeve të partive të vogla. Kjo nuk do ta sillte ndryshimin. Nevojitet një opinion i fuqishëm, një angazhim i madh i shoqërisë civile, përfshirë edhe median, edhe zërat ende të ndershëm dhe demokratë brenda partive të mëdha politike, për të krijuar një rrymë të fuqishme për të ndalur këtë rrjedhë negative.


Nëse nuk do ta ngrenë zërin të gjithë komponentët politikë, socialë në masën dhe forcën e duhur përsëri do të kemi ligj bërje të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo Shqipëri mund të ndërtohet vetëm më përkushtimin dhe angazhimin e të gjithëve atyre që kanë ndërmend të jetojnë në Shqipëri, të gëzojnë në Shqipëri dhe të vuajnë në Shqipëri. Të tjerët, ata që e kanë sjellë deri këtu ku vihet në pikëpyetje ekzistenca e saj si një shtet i qëndrueshëm nuk mund të jenë pjesë e një lëvizje të re që duhet të formësohet sa më shpejt që të jetë e mundur./Shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat