210 mijë dollarë për vilën në Dhërmi, 500 mijë për sigurinë

Shqipëria

210 mijë dollarë për vilën në Dhërmi, 500 mijë për sigurinë

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 01:48

Një pjesë e mirë e buxhetit të vitit 2016 do të shkojë për mobilim zyrash, rikonstruksion godinash e vilash qeveritare gjithashtu. E nëse numri i përfituesve të ndihmës ekonomike ulet, bashkë me fondet e shërbimeve ndaj qytetarëve, nuk ndodh e njëjta gjë me shpenzimet qeveritare, e aq më tepër kur bëhet fjala për zyrën kryeministrore. Nga 600 milionë dollarë që jep buxheti i shtetit për investimet publike, 10% e kësaj shume do të shkojë për blerjen e pajisjeve të zyrave dhe kompjuterave për administratën. Në listën e detajuar të shpenzimeve të çdo institucioni, rezulton 58.5 milionë dollarë, të cilat llogariten si shpenzime kapitale, në fakt nuk do të jenë për të përmirësuar rrugët dhe shërbimet për qytetarët, por do të jepen për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive, raporton “Vizion Plus”. Fondet më të mëdha do të janë për rikonstruksione godinash, ku shumë ministri si ajo e Arsimit, Planifikimit Urban dhe me dhjetëra drejtori do të ndërtojnë dhe rimodelojnë ambientet ku rrinë. Në këtë listë të gjatë të shpenzimeve që do të bëjnë të gjithë institucionet shtetërore të administratës në Shqipëri, fjala që është shkruar më shpesh është “blerje zyrash”, më pas vjen “rikonstruksion ndërtesash”, e cila pasohet nga fjala “blerje kompjuterash”. Asnjë institucion, nuk do të rrijë këtë vit pa shpenzuar për të ribërë zyrat dhe për t’i përshtatur më mirë. Kryeministria investon 500 mijë dollarë vetëm sistemin e sigurisë dhe jep disa qindra të tjera për rregullimin e ndërtesave. Vila e shërbimeve qeveritare në Dhërmi merr 210 mijë dollarë për mobilim dhe konstruksion të plotë të pjesës që ka mbetur. Kuvendi jep disa qindra të tjera për sistemin e rrufepritësve dhe kondicionimin me preçizion të lartë. Projektbuxheti shkurton fondet për arsimin dhe infrastrukturën, ndërsa në mënyrë krejt absurde i rrit për Kryeministrinë. E gjithë mirëqenia e ekonomisë dhe e xhepave të familjeve shqiptare ka mbetur tek Kryeministri, të cilit i duhen shpenzime lukzoze për të çuar ekonominë përpara. Ndërkohë asnjëri nuk e vret mendjen që qytetarëve shqiptarë në mënyrë indirekte po u rriten taksat, u rripen xhepat nga interesat skandaloze të borxheve të reja që po krijohen prej keqqeverisjes Rama-Meta.

Rriten shpenzimet për aparatin qeveritar

Projektbuxheti 2016, që ka marrë edhe miratimin e qeverisë, i ka qëndruar një politike të shtrënguar shpenzimesh, duke ulur ndjeshëm fondet për infrastrukturën dhe arsimin, ndërsa aparati qeveritar nuk ka ndjekur të njëjtën trajektore, duke i rritur shpenzimet me 343%. Bëhet fjalë për ato shpenzime që familjeve shqiptare u sjellin rritje të konsumit dhe mirëqenies. Bëhet me dije se totali i tavaneve buxhetore, sipas tabelave që shoqërojnë projektbuxhetin 2016 ulet me 0.4% në krahasim me pritshmëritë e këtij viti, ndërsa shpenzimet totale buxhetore vitin që vjen pritet të jenë 1% më pak se të këtij viti. Deputetët e Partisë Demokratike kanë komentuar shifrat e para të publikuara nga projektbuxheti për vitin e ardhshëm. Sipas tyre, këto shifra tregojnë se qytetarët po rëndohen, ndërsa shifrat e shpenzimeve të luksit që bën Kryeministri tregojnë që shqiptarët nuk do të kenë asnjë përfitim në formën e investimeve. E vetmja përfituese del qeveria, që u rrjep xhepat bizneseve dhe familjeve shqiptare. Sërish ky projektbuxhet sjell në vëmendje edhe një herë ashtu si një vit më parë se edhe nëpunësit nuk do të kenë rritje rrogash. Por, kjo përveç faktit që nuk rriten pagat e këtij sektori, shikohet edhe në një këndvështrim tjetër, që nuk ka presion në ekonomi, nuk ka nxitje në ekonomi për rritje pagash.

Fondet rriten për ministritë ulen për shërbimet

Sipas tabelave për 2016, shpenzimet për aparatin e Kryeministrisë përcaktohen mbi 3.1 miliardë lekë nga 715 milionë lekë që ishin në buxhetin e rishikuar të këtij viti, me rritje 343%. Ministria e Bujqësisë e vënë në qendër të prioriteteve të qeverisë edhe më 2016 vijon të mbështetet me fonde, të cilat rriten me 24% në raport me planifikimin e këtij viti. Fondet janë rritur ndjeshëm edhe për ministrat e preferuar të Ramës. Kështu fondet janë rritur për Ministrinë e Ekonomisë me mbi 42% më 2016. Burimet nga Ministria e Financave bëjnë me dije se rritja për këtë sektor është bërë për shkak të shtimit të numrit të strukturave, pranë këtij dikasteri. Po ashtu, fondet rriten edhe për Ministrinë e Kulturës me 19% dhe atë të Drejtësisë me 20%, si një mbështetje direkte për reformat në drejtësi. Gjithashtu, edhe fondi për Ministrinë e Mjedisit është rritur me mbi 50%. Për Prokurorinë dhe gjykatat fondet janë rritur përkatësisht me 10 dhe 4%, ndërsa është ulur fondi për Gjykatën Kushtetuese me 6.7%. Fondet janë rritur edhe për Radio Televizionin Shqiptar me 58% dhe për INSTAT me 26%./RD

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat