Si do të ndahen 22 “Jaguarët” për Ramën

Shqipëria

Si do të ndahen 22 “Jaguarët” për Ramën

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 01:47

14 makina luksoze (raportuar në media si “Jaguarë”) do të përdoren nga punonjësit e Këshillit të Ministrave, me shumë gjasa, për këshilltarët e Kryeministrit Rama e drejtorët në Kryeministri. Në specifikimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për prokurimin e makinave për funksionarë të lartë publikë është paracaktuar që Kryeministrisë do t’i takojnë 22 makina luksoze nga 43 në total. Nga to, 8 makina do të jenë për funksionarët e lartë të saj (Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, dy ministrat e Shtetit dhe Sekretarin e Përgjithshëm) dhe 14 për aparatin e Kryeministrisë (siç është quajtur në VKM, me një gjuhë komuniste burokratike, administrata e Këshillit të Ministrave). Është e vështirë të mendosh se çfarë lëvizjesh duhet të bëjnë drejtorët në Kryeministri në ushtrimin e detyrave të tyre që bën të domosdoshme pasjen e makinave në dispozicion. Normalisht i gjithë aktiviteti i tyre zhvillohet brenda zyrave në Kryeministri apo në ministri e institucione të tjera publike, që ndodhen pak minuta ecje në këmbë nga zyrat e tyre. Por është edhe më e vështirë të kuptosh pse edhe për ta duhet që të prokurohen makina të shtrenjta luksoze e jo makina normale. Kjo zgjedhje duket absurde në një kohë, kur Kryeministri flet vazhdimisht për mundësi të kufizuar fondesh buxhetore, për shërbime të domosdoshme ndaj qytetarëve. Kështu, në intervistën e tij të fundit për emisionin “Top Story”, Kryeministri deklaroi, më shumë se një herë, se zgjedhja për dhënien me koncesion e shërbimit të dializës ishte bërë, pasi qeveria nuk ka fonde për të blerë pajisje dialize. Në fakt, me koston katërvjeçare të “Jaguarve” që do të blihen vetëm për këshilltarët dhe drejtorët e tij, mund të blihen gjysma e pajisjeve të dializës që ka nevojë vendi.

Vendimi i qeverisë

Vendimi i qeverisë i jep të drejtë Gardës së Republikës që të mos ndjekë procedurat normale të prokurimit me garë duke argumentuar se çështja është sekret shtetëror për arsye sigurie. Përveç tetë makinave që do të blihen për “titullarin e institucionit” të Kryeministrisë, vendimi i qeverisë i kërkon Gardës të blejë edhe 14 makina të tjera për “aparatin e institucionit”. Kryeministria është i vetmi institucion që do të blejë makina jo vetëm për titullarin, por edhe për aparatin. Ministritë e tjera do të blejnë nga vetëm një makinë secila. Kostoja e kësaj blerjeje nuk është e qartë dhe transparente. Vendimi thotë se, “Garda e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuar për çdo institucion”, pa sqaruar se për sa fonde bëhet fjalë. Qeveria deklaroi pas kësaj në “Transparenca.al” se marrja me qira e këtyre makinave do të kushtojë më pak se sa mirëmbajtja e flotës aktuale, por refuzoi të publikojë dokumentet dhe nuk sqaroi gjithashtu nëse Garda e Republikës ka bërë ndonjë garë apo jo për blerjen e këtyre makinave. “Transparenca.al” është një faqe e krijuar nga zyra e Kryeministrit ku zakonisht publikohen reagime ndaj akuzave të opozitës, por pa publikuar ndonjë dokument konkret, siç sugjeron emri. Sipas “Transparencës”, lizingu i 22 makinave që do të merren nga Kryeministria, pritet të kushtojë 494,520 euro në vit, me një kosto mesatare prej rreth 22 mijë euro për makinë për vit. Vendimi i qeverisë nuk është publikuar në faqen “kryeministria.al”, siç veprohet zakonisht me vendimet, duke shënuar një rast tjetër të mungesës së transparencës./RD

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat