KVV përshëndet konsensusin për dekriminalizimin: Të vijohet me realizimin e reformave të tjera

Shqipëria

KVV përshëndet konsensusin për dekriminalizimin: Të vijohet me realizimin e reformave të tjera

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 19:17

Konsensusi politik i arritur mbi ligjin e dekriminalizimit është një hap shumë i rëndësishëm për sjelljen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm midis forcave politike në realizimin e reformave të tjera me rëndësi për vendin, sikundër është ajo e drejtësisë, reforma zgjedhore apo reforma të tjera që duhen ndërmarrë, të cilat në thelb duhet të jenë reforma të mirëfillta dhe jo thjesht disa amendime apo përmirësime ligjore që duhen bërë. Kështu shprehet përmes një deklarate Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, sipas të cilit mosrespektimi dhe moszbatimi i kuadrit ligjor është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat duhet të përballet shoqëria shqiptare e veçanërisht institucionet e saj, një fenomen ky që është bërë tashmë një traditë shqetësuese për institucionet, duke kompromentuar rëndë qëllimin dhe frymën e çdo reforme.

“Prej datës 18 Tetor 2015, dy prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka mbaruar mandati, ndërkohë që nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me zëvendësimin e tyre, proces i cili duhet të kishte përfunduar jo më vonë se data 18 Shtator 2015.

Mandati i anëtarit të KQZ-së me reformën zgjedhore të vitit 2012 u përcaktua të jetë 6 vjeçar, ndërsa ai i Kryetarit të KQZ-së 4 vjeçar. Me qëllim përtëritjen pjesore të anëtarësisë së KQZ-së, dy prej anëtarëve të saj iu përcaktua një mandat 3 vjeçar dhe përkatësisht mandati i znj. Albana Shtylla (zëvendësuar përgjatë mandatit nga znj. Edlira Jorgaqi) dhe mandati i z. Ilirjan Muho (zëvendësuar përgjatë mandatit nga z. Klement Zguri).

Prej 18 Tetorit 2012 kur u bë betimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe filloi zyrtarisht mandatin, trupa e KQZ-së ka funksionuar e plotë me 7 anëtarë vetëm për 15 muaj (përkatësisht në periudhën Tetor 2012 - Prill 2013 dhe Janar – Tetor 2015), për shkak të mosplotësimit të anëtarësisë së saj nga Kuvendi i Shqipërisë dhe subjekteve politike propozuese.

Ky qëndrim i përsëritur i Kuvendit të Shqipërisë, i deputetëve dhe partive parlamentare, dhe, veçanërisht, i subjekteve që duhet të propozojnë emrat e anëtarëve është jo vetëm jo korrekt dhe jo ligjor,por kompromenton thelbësisht seriozitetin dhe vullnetin e shfaqur prej tyre në ndërmarrjen e mëtejshme të reformave, të ndërtimit dhe mbështetjes së institucioneve të pavaruara.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i tërheq vëmendjen Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve dhe partive parlamentare të nisin sa më parë procesin e plotësimit të KQZ-së, si dhe të jenë më të përgjegjshëm në përmbushjen në kohë të detyrimeve ligjore të parashikuara si akte jo vetëm të detyrueshme për tu zbatuar, por edhe si akte kuptimplotë për besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor dhe institucioneve”, thuhet në deklaratën e KVV.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat