Eksperti i EURALIUS: Gjyqtarët dhe prokurorët të kenë statusin e duhur dhe rroga të përshtatshme

Shqipëria

Eksperti i EURALIUS: Gjyqtarët dhe prokurorët të kenë statusin e duhur dhe rroga të përshtatshme

Nga: Gjergj Koja Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 17:23

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Gjirokastër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rainer Deville, ekspert i EURALIUS, duke iu referuar disa publikimeve dhe diskutimeve të fundit të media lidhur me shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u shpreh qartësisht lidhur me statusin e duhur dhe të merituar për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ai vuri në dukje se “Euralius është një projekt teknik- ligjor” dhe sa i takon sistemit për të vlerësuar gjyqtarët që janë në detyrë, “ky proces është një prej sfidave më të vështira që ne kemi”.

Deville theksoi se është deklaruar po ashtu në tryezat e rrumbullakëta që “gjyqtarët dhe prokurorët meritojnë një status të duhur, ata meritojnë të kenë një rrogë të përshtatshme dhe duhet të kenë sigurime shoqërore të kenë pension dhe kjo është ajo që ne po diskutojmë, jo në kuadrin e kushtetutës, por në kuadrin e ligjeve zbatuese. E gjithë paketa që kjo reformë do të sjellë është shumë më e gjerë se një fjali. Nëse ne diskutojmë paga më të larta kjo do të ishte e përshtatshme për t’u vendosur në një faqe të parë gazete. Por ju e kuptoni se këto paga më të larta duhet të financohen, duhen burime financiare, por për këtë na duhen ligje me te mira për sa i takon tarifave gjyqësore dhe ndihmës juridike, si dhe të gjitha aktet e tjera të rëndësishme për të rritur këto paga. Pra është shumë më e komplikuar se sa mund të pasqyrohet në një fjali. Jam shumë i kënaqur që ne sot kemi mundësinë që të kemi një vështrim më të gjerë të zgjidhjeve ligjore që kemi përpara nesh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat