Tahiri letër Nishanit mbi gjyqtarët që lirojnë të arrestuarit/PD: Listë inkuizitore. Ja emrat që nuk përmend ministri i Brendshëm

Shqipëria

Tahiri letër Nishanit mbi gjyqtarët që lirojnë të arrestuarit/PD: Listë inkuizitore. Ja emrat që nuk përmend ministri i Brendshëm

Nga: Gjergj Koja Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 13:49

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me një letër që ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri i ka drejtuar Presidentit Bujar Nishani, me cilësinë e Kryetarit të KLD-së, mbi gjyqtarët dhe prokurorët, që sipas ministrit të Brendshëm kanë liruar ose kanë dhënë masa të lehta dënimi për shtetas të arrestuar nga policia për vepra të ndryshme penale. Përmes deputetit Genti Strazimiri, Partia Demokratike thekson se edhe sikur në këtë vend, Qeveria apo Ministri i Brendshem të ishte autoriteti shtetëror që mbikqyr gjykatat dhe prokurorinë në dhenien e drejtësisë, edhe sikur kjo të mos përbente një skandal kushtetues, ligjor e moral, lista e çështjeve dhe individeve që shqetësojnë qeverinë nuk është aspak ajo që tmerron opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi.
“Në listën në fjalë, nuk permenden prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore që çmontuan procesin ndaj deputetit të radhes në listën e “rilindjes”, Arben Frroku;
As gjyqtarët e “lartë”, prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore që “bënë mrekullinë” dhe liruan deputetin tjeter “rilindas” Armando Prenga, ndërkohe që mbajnë në burg viktimat e tij me plumbat ende ne trup.
Nuk permenden as prokurorët dhe gjyqtarët që ende nuk kanë marrë në përgjegjesi penale individin AA003GB, i cili ka pranuar botërisht të ketë mashtruar për qëllime përfitimi me dashje e qëllim, e që është titullari dhe përdoruesi i mjetit të përfshirë në trafik droge.
Nuk permenden as gjyqtaret dhe as prokurorët që heshtin për të njejtin individ, i cili rezulton i vetmi përgjegjës për fshehjen në sirtar të mandat arrestit të Interpolit për deputetitn tjeter “rilindas” Mark Frroku, e meqe jemi ketu, edhe për mosndalimin e trafikantit të drogës që ndodhej në makinen e tij këtu e 2 vjet më parë.
Nuk permenden as prokurorët e gjyqtarët që nuk procedojne penalisht dhe lënë të lirë nëpër rrugët e Tiranes, ministrin që ka për detyrë të mos “lejojë kriminelë të mirënjohur të bredhin lirshem e të paprekshem në Tirane”, siç po e thonë qartazi përfaqësuesit më të rendesishëm të partnereve euro-atlantike”, tha Strazimiri.
Sipas tij, lista e publikuar është një listë inkuizitore, jo me gjyqtare e prokurore të korruptuar, por me gjyqtare e prokurore që nuk i pëlqejnë qeverise, sepse me sa duket kane bërë “çudira pa leje”!
“Disa të tjerë, me të dhëna të njëjta, madje shume, shumë më të renda, nuk permenden, sepse “çudirat” i bëjnë “me leje dhe miratim”. Këta të fundit, me sa duket, në projektin e qeverisë janë programuar të drejtojne, drejtësine “e reformuar” me votat e krimineleve që Qeveria ka sjelle ne Kuvend, dhe, për këtë arsye “madhore” i mbron me “çudirat” që prodhon pjesa më e felliqur e sistemit të drejtësisë. Ajo e korruptuara edhe politikisht. Ajo që i bën qokat Qeverise, duke dënuar deputetet e opozites që denoncojnë kriminalizimin e çdo qelize të shtetit prej qeverise dhe ministrave të kapur në flagrance me krimin”, tha Strazimiri.

Letra e Tahirit për Presidentin

RASTET MË FLAGRANTE TË GJYQËSORIT
1 – ARRESTUAR PËR VRASJE (Vritet më pas në pritë)
PROKURORI: ARREST NË BURG, GJYKATA: DETYRIM PËR T’U PARAQITUR
Gjykata e Apelit Tiranë, me trupë gjykuese Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj, me vendim nr.215, datë 25.02.2014, ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për të pandehurin Gjin Nika, i datëlindjes 28.04.1978, nga Bulqiza, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/1-22 dhe 278/2 të Kodit Penal. Shtetasi Gjin Nika, së bashku me një shtetas tjetër, u vranë në një atentat mafioz më pas.

2 – ARMËMBAJTJE PA LEJE
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYQTARI E LIRON NË SALLË
Policia e Shtetit në datë 19.03.2014 ka arrestuar ne flagrancë shtetasin z. Kujtim Xhevdet Proshka, pasi ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e policisë, si dhe është kapur me një sasi armësh zjarri dhe armë gjahu pa leje nga shërbimet e policisë. Në Prokurori janë referuar këto prova materiale, 4 armë zjarri automatik, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, dy armë gjahu. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me Prokuror të çështjes z Shyqyri Duro ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest me Burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me gjyqtar të çështjes z. Osman Aliu me vendimin nr. 12-2014-356 të datës 23.03.2014, ka vendosur “Arrest i paligjshëm dhe Lirim i menjëhershëm”.

3. ARMËMBAJTJE PA LEJE
PROKURORI: DETYRIM PARAQITJE
Policia e Shtetit në datë 25/03/2014 ka arrestuar ne flagrancë shtetasin Sali Agim Hoxha, datëlindjes 02.01.1991. Në orën 01.00, në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, në mjetin tip “Seat”, iu gjet e bllokuar me cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me një krehër me një fishek, me 17 fishekë, pa leje. Nga kontrolli i banesës i’u gjetën një armë automatik kallashnikov, pa qytë, një krehër me 23 copë fishekë model 56 mm, një krehër me 20 copë fishekë model 56 mm, një mbajtëse fishekësh me 14 fishekë 9 mm manover dhe 8 fishekë manover pa kokë më të vegjel se 9 mm, një kuti syzesh me mbishkrimin “Police”, brenda të cilës u gjet një krehër pistolete me 7 fishekë model 7.62 mm, 29 fishekë model 7.62 mm, 6 fishek manover model 56 mm, një fishek 9 mm me ngjyrë të zezë, 2 fishekë 6.35 mm, si dhe dy fishekë me ngjyrë gri metalizato, një dorezë metalike (përforcues grushti). Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Prokuror të çështjes z. Etien Kapo ka kërkuar masën e sigurimit “Detyrim paraqitje”.

4 – KANOSJE DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE
PROKURORI: DETYRIM PARAQITJE
Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Hakim Manaj pas një telefonate të bërë në sallën operative nga shtetasi Malo Bejaj, banues në fshatin Karbunarë se shtetasi Hakim Manaj, ka shkuar në dyqanin e tij dhe e ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë dhe më pas ky i ka marrë pistoletën dhe shtetasi Hakim Manaj është larguar duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Ai akuzohet për veprën Penale: “Kanosje” dhe “Armë mbajtje pa leje”. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me Prokuror të çështjes z.Aurel Zarka, ka kërkuar masën e sigurimit “Detyrim Paraqitje”.

5 – ARRESTOHET PËR ARMËMBJATJE DHE TRAFIK DROGE, PËRSËRITËS
PROKURORIA: ARREST NË BURG, GJYKATA E LË ME DETYRIM PËR T’U PARAQITUR
Në datë 29.09.2014 është ndaluar shtetasi A.R., lindur në Gjirokastër, i shpallur në kërkim për veprat penale “Organizim i jashtëligjshëm i lojërave të fatit”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 197,283 dhe 278/2 i K. Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me Prokuror të çështjes Çlirim Sino ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndërsa gjyqtari i çështjes Mirela Iliopulli me vendimin e datës 02.10.2014, ka caktuar masën e sigurimit “Detyrim paraqitje”. Ky shtetas ka qenë në kërkim në vitin 2006, si dhe është proceduar penalisht në vitin 2010 për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, si dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.

6 – ARRESTOHET PËR KUNDËRSHTIM TË POLICISË, PËRSËRITËS
PROKURORIA: ARREST NË BURG, GJYKATA E LË NË ARREST SHTËPIE
Në datë 10.09.2014 nga Komisariati i Policisë Përmet është ndaluar shtetasi E. Xh., për veprën penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësve të Policisë” parashikuar nga neni 236/2 i K. Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet, me Prokuror të çështjes Silvana Pani ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest me Burg”, ndërsa gjyqtar i çështjes Dritan Hasani me vendimin nr. 21/163 datë 12.09.2014 ka caktuar masën e sigurimit “Arrest shtëpie”. Ky shtetas është përsëritës në të njëjtin krim pasi në datën 14.11.2011 është proceduar penalisht për veprën penale “Plagosje e lehtë” dhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”.

7 – PLAGOSJE ME ARMË
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYQTARI VENDOS ARREST NË SHTËPI
Policia e Shtetit në datë 02.03.2014, ora 23:00 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Eqerem Braçi, i dtl. 29.05.1964. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga neni 88 e 278/4 i Kodit Penal, pasi ne datë 02.03.2014 rreth orës 14:00, ka plagosur në Levan, Fier me armë zjarri shtetasin Besnik Myteris Alliaj e Klodjan Artan Aliaj, i datëlindjes 10.11.1996. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në Burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendim e datës 06.03.2014 të gjyqtarit Engert Pëllumbi ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

8 – PLAGOSIN POLICIN
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYQTARI VENDOS DETYRIM PAQAQITJE
Policia e Shtetit në datë 31.03.2014 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Florjan Fatmir Zilfe i datëlindjes 19.04.1988, pasi së bashku me vëllain e tij Ervis Fatmir Zifle kanë goditur me punojësin e policisë A. Hoxha. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me Prokuror të çështjes z. Julian Çafka ka kërkuar masën e sigurimit “arrest burg”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokaster, me gjyqtar të çështjes znj. Blerta Çibuku me vendimin nr. 155 të datës 04.04.2014 , ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

9 – i KËRKUAR NDËRKOMËTAR, i DËNUAR ME 32 VITE BURG
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYKATA VENDOS ARREST NË SHTËPI (me pas arratiset)
Shtetasi Arben Gropa i shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga Italia, i dënuar me 32 vjet burg për “trafik narkotikësh”, është kapur nga ana jonë në muajin Janar 2014 me qëllim ekstradimin e tij ne Itali, në datë 24.02.2014. Gjykata e Apelit Vlorë ka ndryshuar masën e sigurisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Duke parë veprën penale për të cilën ky shtetas akuzohet si dhe masën e dënimit te dhënë nga drejtësia Italiane, krijohen dyshime mbi bazueshmërine ne ligj të vendimit te Gjykates së Apelit te Vlores qe ka caktuar masën e sigurimit “arrest shtëpie”.

10 – MARRËDHËNIE SEKSUALE ME DHUNË
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYQTARI E LIRON NË SALLË
U bë arrestimi i shtetasit Aleksandër Bedri Tafa, për veprën penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjec” dhe “Përndjekja” parashikuar nga neni 101 dhe 121 i K.Penal. Prokurori i çështjes zj. Fiqirete Hajdini, kërkoi masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërkohë që nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, gjyqtar i çështjes z. Osman Aliu është ndryshuar masa e sigurisë me vendim Nr 12-2014-159 datë 08.02.2014 duke vendosur “Lirim të menjëhershëm nga salla”. Kjo vepër parashikon burgim nga 5 deri 15 vjet burgim si dhe përndjekja parashikon bugim nga 6 muaj deri 4 vjet, ndërsa për të miturit në rastin konkret dënimi rritet deri në ½ të dënimit të dhënë.

12- ARRESTOHET PËR VJEDHJE ME PASOJA (përsëritës)
PROKURORIA: ARREST NË BURG, GJYKATA E NË ARREST SHTËPIE
Në datë 12.09.2014 nga Komisariati i Policisë Përmet janë ndaluar shtetasit K.L. dhe Ç. M. banues në fshatin Cakran dhe Gjinoqar, rrethi Fier, për veprën penale “Vjedhje, me pasoja të rënda” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3 i K. Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet, me Prokuror të çështjes Silvana Pani ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest me burg”, ndërsa gjyqtari i çështjes Dritan Hasani me vendimin e datës 13.09.2014, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest shtëpie” për të dy të ndaluarit. Rezulton se shtetasi Ç. M., në muajin Janar 2012 është kapur në flagrancë duke tentuar të vjedhë i maskuar, ndërsa në janar 2013 është shpallur në kërkim policor si i dyshuar për vjedhje banese.

13 – GODITJE, SHKAK DETYRA
PROKURORI: ARREST NE BURG, GJYQTARI VENDOS DETYRIM PARAQITJE
Policia e Shtetit në datë 19.03.2014, me urdhër datë 16.03.2014, të Prokurorit Genci MANE, ka bërë ndalimin e shtetasit Besnik KAPLLANAJ, banues në fshatin Ngraçie/Mallakastër, pasi ky shtetas me datën 15.03.2014 në qytetin e Ballshit ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237, i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Fier, me Prokuror të çështjes Genci MANE, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me gjyqtar të çështjes Z. Pirro SOTA, me vendim Nr. 257, datë 20.03.2014, ka vendosur masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat