Përurohet rruga “Dritan Hoxha” me 6 korsi/Veliaj: Ja qyteti ku duam të jetojmë

Shqipëria

Përurohet rruga “Dritan Hoxha” me 6 korsi/Veliaj: Ja qyteti ku duam të jetojmë

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 12:30

Hyrja e Tiranës ka një pamje tjetër dhe një rrugë sipas të gjithë standardeve që ofron një balancim të korsive të automjeteve me qytetarët që përdorin transportin publik, biçikletat apo trotuaret. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përurimin e rrugës “Dritan Hoxha” ka zgjedhur të pedalojë me biçikletë, së bashku me një grup të rinjsh, duke përshkruar të gjithë korsinë e dedikuar për ta. Kryebashkiaku Veliaj tha se rruga “Dritan Hoxha” është me 6 korsi, nga të cilat tre janë për automjete, një për autobus, një për biçikletë dhe një për këmbësorët. “Ne besojmë që një qytet i mirë nuk është ai ku çdo njeri ka makinë dhe të pasurit kanë makina të shtrenjta, por ku çdo njeri pavarësisht se është i pasur apo në gjendje jo të mirë ekonomike, të ketë mundësi të ndihet i barabartë. Duke i dhënë tre korsi këmbësorëve, çiklistëve dhe atyre që përdorin transportin publik po japim edhe vizionin tonë se cili është qyteti që duam të ndërtojmë dhe qyteti ku besojmë”, deklaroi Veliaj.Ai njoftoi se ky sistem i paraprin reformës në transportin publik. “Vitin tjetër do të kemi një sistem të ri të linjave të autobusëve dhe elektronik të biletës, që do të favorizojë studentët dhe pensionistët. Ky fillim i ri i kësaj arterie të korsive të dedikuara të autobusëve e biçikletave i paraprin dhe projektit për modernizimin e transportit publik”, deklaroi Veliaj. Ai falenderoi të gjithë bizneset për ndihmën e dhënë dhe që mundësuan këtë investim në kushtet kur buxheti i bashkisë është gjendur në vështirësi financiare. “Nuk ia dilnim dot vetëm me buxhetin e Bashkisë ku s’kishim para as për të paguar rrogat, ndaj u jam sot shumë mirënjohës të gjithë bizneseve që në total kanë kontribuar në vlerë financiare, duke sponsorizuar segmente të ndryshme të kësaj rruge, mbi dy milionë dollarë. Njëra prej tyre është Banka Raiffesien dhe dua ta falenderoj shumë edhe për avokatinë që bën për biçikletat dhe për një qytet të shëndetshëm, por mbi të gjitha për një korporatë e cila ndjesinë komunitare dhe përgjegjësinë sociale e ka po aq të rëndësishme sa të bërit biznes”, tha Veliaj. Sipas tij, për çështje të transparencës do të ketë një ceremoni të veçantë me të gjithë kompanitë që bënë të mundur investimin në kushtet kur me fondet e bashkisë nuk do të ishte arritur. “Sot qytetit i kemi dhënë 4 kilometra rrugë biçikletash, korsi të dedikuara autobusësh, infrastrukturë në trotuare dhe investimet e vitit tjetër, nuk do të ketë rrugë pa inkorporuar kanalizimet moderne edhe korsinë e biçikletave, trotuaret për këmbësorët. Do të sigurohemi që qyteti i së ardhmes është një qytet më human dhe njerëzor”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat