Shehu diskuton me administratorët mbi masat për përballimin e emergjencave nga moti

Shqipëria

Shehu diskuton me administratorët mbi masat për përballimin e emergjencave nga moti

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 23:41

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu zhvilloi një takim pune me 14 administratorët e njësive vendore të kësaj bashkie. Kreu i Bashkisë kërkoi më tepër angazhim dhe korrektësi në shërbim të komunitetit.

Duke qenë në një situatë ku kjo zone përfshihet nga reshjet e borës dhe një dimër i gjatë, Shehu theksoi si të rëndësishme marrjen e të gjitha masave për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen, duke treguar gadishmërine e Bashkisë për angazhim të mjeteve e resurseve të tjera njerëzore e financiare.
Duke qenë në prag të hartimit të buxhetit per vitin 2016, ai kërkoi gjithpërfshirje në diskutimet rreth buxhetit në të gjitha njësitë administrative dhe përcaktimin e prioriteteve sipas nevojave në komunitet.

Qytetari do të jetë i pari, theksoi kryebashkiaku, duke kërkuar nga çdo administrator më tepër përpjekje dhe kontakte me të gjithë sipërmarrësit që operojnë në territoret e njësive administrative, kryesisht në fushën minerare, për zbutjen e papunësisë.

Po ashtu kreu i bashkisë kërkoi më tepër angazhim për shërbimet ndaj qytetareve, duke ofruar zgjidhjet për shpërndarjen e pagesave të ndihmës ekonomike pranë zyrave postare, si dhe ngritjen e qendrave për pagesën e energjisë elektrike pranë njësive administrative që kanë pengesa për shkak të distancës nga qendra.

Në takim u fol edhe për zbatimin e reformës territoriale, në inventarizimin e plotë të pronave e mjeteve të tjera të ish-komunave dhe transferimin e tyre në Bashki. Përgatitja e një fushate senzibilizuese dhe kontaktet me çdo banor të zonës u percaktua si imediate, kjo në kuadër të ndarjes së titujve të pronësisë nga Bashkia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat