Rikonstruktohet Monumenti i Pavarësisë, Veliaj: Përgjigjja jonë ndaj vandalizmit

Shqipëria

Rikonstruktohet Monumenti i Pavarësisë, Veliaj: Përgjigjja jonë ndaj vandalizmit

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 11:23

Tre vite pas vendosjes në qendër të Tiranës dhe përurimit me bujë, monumenti i Pavarësisë në qendër të Tiranës është restauruar tërësisht. Kjo falë një nisme të Bashkisë së Tiranës për të restauruar veprat monumentale që përkujtojnë historinë e pavarësisë dhe çlirimit të vendit.

Në ditën e shpalljes së pavarësisë së Tiranës, kreu i bashkisë, Erion Veliaj, ka përuruar restaurimin e monumentit të Pavarësisë, në parkun “Rinia”, në praninë e familjarëve të firmëtarëve të pavarësisë.

Veliaj tha se Monumenti i Pavarësisë është një ndër punët e papaguara që Bashkia e Tiranës trashëgoi nga administrata e kaluar. Veliaj theksoi se angazhimi ndaj këtyre monumenteve i institucionit që ai drejton është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigje vandalizmit. Ai ftoi qytetarët e Tiranës të mbrojnë monumentet nga vandalizmi.

“Uroj gjithë qytetarët e Tiranës për Ditën e Pavarësië. 103 vite më parë, familjarë të të pranishmëve këtu sot shpallën pavarësinë në Tiranë. Dua të falënderoj pasardhësit e firmëtarëve të pavarësisë.

Monumenti i Pavarësisë, ju e dini historinë, ishte i porositur dhe i papaguar ndaj firmës austriake. Nuk besojmë në një qytet që jeton me mall të papaguar. U ndiem të fyer që Tirana që trashëguam ishte një qytet i kishte kthyer monumente të tilla në hapësira të papërshtatshme.

Ky angazhim i Bashkisë së Tiranës është mënyra sesi ne i japim një përgjigje qytetare vandalizmit. Nuk mundet të shpenzojmë për rikonstruksione të gjërave që kushtojnë. Ndaj ftoj qytetarët që të na ndihmojnë që këto vepra të mos vandalizohen. Ne kemi filluar një proces rikonstruksioni që nga varrezat e deri te monumentet që nderojnë historinë tonë. Vetëm duke ditur të kaluarën, ne kemi fuqi për të ardhmen”, tha Veliaj.

Rikonstruksioni i Monumentit të Pavarësisë i ka kushtuar Bashkisë së Tiranës 1 milionë lekë të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat