Debati te Komisioni i Sigurisë, Dogjani i PD godet me grusht Lutajn e PS

Shqipëria

Debati te Komisioni i Sigurisë, Dogjani i PD godet me grusht Lutajn e PS

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 09:23

Komisioni i Sigurisë Kombëtare është përfshirë dje nga sherri dhe grushtat mes anëtarëve të tij. Deputeteti i PD Asllan Dogjani ka goditur me grusht kolegun e tij të PS Pirro Lutaj gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.

Në këtë Komision, nëndrejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Alushi, ishte duke argumentuar nevojat e këtij institucioni, të cilat nuk përmbusheshin përmes projektbuxhetit të vitit 2016.

Në një moment të këtij diskutimi, deputeti socialist Pirro Lutaj, më aktivi në këtë Komision, iu është drejtuar përfaqësuesve të SHISH-it të pranonin si të mjaftueshëm dhe të mos ankoheshin për buxhetin e planifikuar nga Ministria e Financave dhe se nuk është nevoja të ketë shtesë në të.

“Zotërinj të nderuar, buxheti i hartuar nga Ministria e Financave ka marrë parasysh edhe sugjerimet tuaja dhe mendoj se është i mjaftueshëm për të përmbushur misionin e shërbimit tuaj!”, mësohet t’u jetë drejtuar Lutaj përfaqësuesve të SHISH- it.

Por në këtë moment ka qenë ndërhyrja e deputetit demokrat, Dogjani, i cili e ka cilësuar Lutajn si njeri me dy fytyra dhe dy qëndrime ndaj SHISH-it, tjetër qëndrim kur ka qenë në opozitë dhe tjetër qëndrim tani që është në pushtet për të njëjtin institucion.

“Si ka mundësi, o zotëri, që paraqitesh me dy fytyra? Kur ishim bashkë në opozitë, mbaje tjetër qëndrim, kërkoje që institucionet e Sigurisë Kombëtare, siç është SHISH, të mbështeteshin dhe të financoheshin më mirë dhe me më shumë buxhet për të përmbushur misionin e tyre. Ndërsa tani del dhe na thua që buxheti është i mjaftueshëm, mos hapni gojë dhe shkoni të përmbushni misionin tuaj. A mund të garantohet siguria kombëtare me kaq buxhet?! Je me dy fytyra!”, mësohet të ketë qenë ndërhyrja e deputetit Dogjani.

Nuk ka vonuar edhe përgjigjja e Lutajt, i cili ka akuzuar Dogjanin për dyfytyrësi. “Si njeri me dy fytyra të gjithë të njohin ty, që gdhihesh socialist dhe ngrysesh demokrat”, është përgjigjur Lutaj.

Në këtë moment tonet janë ngritur, aq sa janë dëgjuar edhe jashtë sallës së Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ndërsa tre punonjës të Gardës së Republikës kishin marrë masa që pranë derës së Komisionit të mos kishte gazetarë dhe ata të qëndronin në një distancë prej 30-40 metrash.

Por tonet u bënë aq të larta, madje u dëgjuan dhe përplasje karrigesh, ç’ka bëri që punonjësit e Gardës të hynin brenda sallës së Komisionit për të vendosur qetësinë. Në këtë moment, deputeti Dogjani ka lënë sallën e mbledhjes në mënyrë demonstrative shumë i zemëruar dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë.

Momenti kulmor i debatit kishte arritur kur, pas mbylljes së mikrofonit, Lutaj është ngritur në këmbë duke futur këmishën nën pantallona. Duket se Dogjani e ka marrë këtë veprim me duar të Lutajt si mesazh ofendues ndaj tij, është ngritur menjëherë dhe e ka goditur kolegun e Sigurisë Kombëtare, Pirro Lutajn, me grusht në fytyrë.

Ka qenë ndërhyrja e deputetëve Pjerin Ndreu dhe Arben Çuko që ka bllokuar agravimin e situatës, e cila nisi nga shqetësimi i palëve për të rritur sigurinë kombëtare në vend, duke mbështetur punën e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Lutaj: Kishte vetëm ngritje toni, fatmirësisht s’u ndodhëm të dy pa tru

Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i përfshirë në këtë sherr, Pirro Lutaj, u mundua të zbuste konfliktin që ndodhi brenda.

“Ka pasur ngritje toni mes meje dhe zotit Dogjani dhe asgjë më shumë. Pyetja pse u konfrontuam nuk ka sens, që të konfrontohen dy njerëz, duhet të jenë sigurisht pa tru, fatmirësisht nuk u ndodhëm të dy pa tru. Garda kryen punën e vet dhe kjo nuk është puna ime ta komentoj”, u shpreh Lutaj për gazetarët pas mbledhjes.

Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, demokrati Flamur Noka, tha se debati më i madh me dyer të mbyllura ishte buxheti i pamjaftueshëm i SHISH-it për të përmbushur misionin e tij.

“Buxheti për Shërbimin Informativ Shtetëror nuk lë për të dëshiruar, por për t’u vajtuar. U raportua që gjendja në SHISH është e vajtueshme, nuk është marrë në konsideratë asnjë kërkesë e SHISH-it në hartimin e buxhetit. SHISH- i disponon kushtet mizerabël edhe në mjetet e lëvizjes dhe aq më tepër në kushtet e sotme me gjithë këto sfida që ka vendi ynë ndaj terrorizmit kërkon që SHISH të vlerësohet dhe të buxhetohet në mënyrë maksimale për të kryer misionin.

Pra, është një tendencë e frikshme e qeverisë për të sabotuar misionin e SHISH në këtë gjendje. Ky ishte debati kryesor në Komisionin e Sigurisë. Nuk ka debat më të rëndësishëm se ky”, tha Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat