MMSR marrëveshje me komunitetet fetare për luftën kundër dhunës ndaj gruas

Shqipëria

MMSR marrëveshje me komunitetet fetare për luftën kundër dhunës ndaj gruas

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 00:24

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe 5 komunitetet fetare më të mëdha në vendin tonë, kanë nënshkruar sot një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës kanë rënë dakord për veprime të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje. Në emër të MMSR-së, deklarata është nënshkruar nga ministri Blendi Klosi, Skënder Bruçaj në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Anastas Janullatos në emër të Kishës Ortodokse, Imzot Lucjan Avgustini në emër të Kishës Katolike, Haxhi Baba Edmond Brahimaj në emër të kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si dhe nga Ali Kurti, në emër të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Në ceremoni mori pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. Nëpërmjet këtij vullneti të shprehur në këtë dokument, palët bashkohen dhe angazhohen për planifikimin e veprimeve të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, mbështetjen dhe lehtësimin e veprimeve kombëtare edukuese për rëndësinë e krijimit të familjeve të shëndosha, ku mbizotërojnë paqja, respekti, dashuria, vlerësimi dhe mundësitë e barabarta për secilin anëtar të saj; ndërmarrjen e nismave që synojnë përfshirjen e gjerë të komuniteteve në parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave e vajzave.

Gjithashtu, komunitetet fetare angazhohen që të planifikojnë një ditë në muaj, ditë lutjeje për viktimat, dëshmitarët e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në kuadër të fushatave të përvitshme të ndërgjegjësimit të publikut që organizohen për këtë qëllim, si dhe nxitjen e mbështetjen e shërbimeve riintegruese dhe fuqizuese për viktimat e dhunës në familje. “Të bindur se veprimet kundër dhunës në familje janë rruga drejt paqes në shoqëri, ne angazhohemi të bëjmë realitet përpjekjet tona të përbashkëta tani!” – thuhet në këtë deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat