Hiqen nga ndihma ekonomike 800 familje

Shqipëria

Hiqen nga ndihma ekonomike 800 familje

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 23:59

Mbi 800 familje do të hiqen nga skema e ndihmës ekonomike për vitin 2016. Kështu deklaroi ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes në Komisionin e Punës.

Shkurtime sipas Klosit, do të ketë edhe në trajtimin ekonomik të personave me aftësi të kufizuara, ku 9 mijë prej tyre pritet të dalin nga skema.

“Në 2016-n do ketë ulje të numrit të abuzuesve të ndihmës ekonomike. Fondi për ndihmën ekonomike dhe PAK është 21 mld lekë,” tha Klosi teksa vlerësoi se buxheti i MMSR për vitin 2016 është 5.8 mld lekë më shumë sesa për këtë vit.

Por deklarata e ministrit hasi në kundërshtinë e opozitës. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi i kërkoi Klosit të shpjegojë se cila është formula e largimeve nga skemat e trajtimit social.

“Keni ulur fondet duke hedhur familjet në rrugë, ky është krim”, tha Vokshi.

Mësohet se shkurtimi është bërë si pasojë e largimit nga skema e familjeve që përfitonin në mënyrë abuzive, rezultat i kontrolleve të realizuara nga Ministria e Mirëqenies.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat